Monrovia, Liberi – Këtë javë, 27 anëtarët e Panelit të nivelit të lartë të personave meritorë të agjendës së zhvillimit post-2015 mblidhen në Monrovia, Liberi, për ta këshilluar sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Në këtë takim, Paneli do të krijojë një vizion “të guximshëm, por praktik” për sa i përket veprimit të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm. 

Derisa këto diskutime – nikoqire të të cilave do të jetë presidentja e Liberisë dhe laureatja e çmimit Nobel për Paqem Ellen Johnson Sirleaf, presidenti indonezian, Susilo Bambang Yudhoyono dhe kryeministri britanik, David Cameron – të mbahen, rajoni i afër i Sahel dhe i Lumenjve të Mëdhenj vazhdon të jetë i zhytur në dhunë dhe konflikt. Në të vërtetë, zhvendosja në numër të madh i njerëzve dhe vuajtjet e papërshkrueshme njerëzore po ndodhin në shumë shtete afrikane (e le të mos e përmendim Sirinë dhe vendet e tjera), duke kërcënuar që ta zmbrapsin progresin e paparë ekonomik të kontinentit gjatë dekadës së fundit. 

Paneli (anëtar i të cilit jam edhe unë) duhet ta rrëmbejë mundësinë e paraqitur nga takimi i Monrovias për të kontribuar në agjendën e zhvillimit global, i cili i adresohet një qarku vicioz të konflikteve dhe varfërisë që e frenojnë aktivitetin ekonomik dhe e rrezikojnë mirëqenien njerëzore.

Për më se një dekadë, marrëveshja e synimeve të zhvillimit të mijëvjeçarit, së cilës i skadon mandati brenda dy vjetësh, ka ofruar një kornizë për bashkëpunimin ndërkombëtar të zhvillimit, me një vëmendje të veçantë kushtuar luftimit të varfërisë në të gjithë botën. Në krijimin e një agjende të re më gjithëpërfshirëse, liderët globalë duhet të pranojnë se, edhe pse marrëveshja e synimeve të zhvillimit të mijëvjeçarit u ka mundësuar me miliona njerëzve në të gjithë botën që të shmangin analfabetizmin, sëmundjet dhe urinë, ndikimi i përgjithshëm i tyre ka qenë joadekuat, sidomos në shtetet e brishta dhe të prira të zhyten në konflikte. Statistikat e Bankës Botërore tregojnë se asnjë shtet i prekur nga konflikti dhe me të ardhura të pakta nuk e ka përmbushur asnjë prej synimeve të zhvillimit të mijëvjeçarit, duke i reflektuar kështu dështimet e kornizës për të adresuar problemet e shkaktuar nga dhuna e organizuar dhe pasiguria e vazhdueshme. 

Kjo është arsyeja pse agjenda post-2015 duhet të përqendrohet në paqe, siguri dhe liri nga frika. Synimi i saj duhet të jetë drejtësia dhe prosperiteti për të gjithë. Dhe duhet të reflektojë kuptimin se zhvillimi është i pamundur pa paqe, njësoj ashtu siç paqja është e pamundur pa zhvillimi – dhe se paqja e përhershme dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë të pamundura pa respektimin e të drejtave njerëzore dhe të sundimit të ligjit. 

Për më tepër, siç dhe sugjeron vetë tema e takimit të Monrovias, “Blloqet ndërtuese kombëtare të prosperitetit të qëndrueshëm”, iniciativat globale të zhvillimit post-2015 duhet të nënvizojnë mbështetjen për përpjekjet kombëtare të arritjes së prosperitetit të fuqishëm, stabil dhe afatgjatë. Strategjitë që do t’i ndihmojnë shtetet të kapërcejnë pasigurinë e brendshme dhe konfliktin, transformimin e ekonomive të tyre, dhe, në fund, përmbushjen e potencialit të tyre përfshijnë forcimin e institucioneve qeverisëse dhe të sundimit të ligjit, duke siguruar pjesëmarrjen e palëve të shumta të interesuar dhe duke garantuar që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në drejtësi. 

Mbështetja ndërkombëtare për përpjekje të tilla do të nënkuptonte atë që liderëve afrikanë dhe palëve të interesuara t’u jepet mundësia – dhe përgjegjësia – për të eliminuar zhvillimin e ulët dhe për të rritur prosperitetin. 

Për më tepër, ndërsa çrrënjosja e varfërisë do të mbetet një shqetësim i madh pas vitit 2015, fokusi duhet të ndryshojë nga mesataret kombëtare në pabarazitë lokale. Masat duhet të lëvizin përtej nevojave të përgjithshme sociale, për të përkrahur progresin në sektorët e krijimit të vendeve të reja të punës dhe të gjenerimit të të ardhurave. Dhe përpjekje të forta duhet bërë në shtetet e prekura nga konfliktet, në mënyrë që aty të promovohet pajtimi dhe të shmanget ringjallja e dhunës.  

Duke e pasur parasysh suksesin e fundit të Liberisë në pajtimin dhe zhvillimin njerëzor të paskonfliktit, pas 14 vjetësh luftë civile, ky është një ambient i përshtatshëm për diskutimet e Panelit. Që nga viti 2003, vizioni dhe përkushtimi i brendshëm, bashkë me mbështetjen ndërkombëtare, kanë mundësuar që Liberia të mbajë zgjedhje demokratike, të prezantojë disa shërbime esenciale publike, të rikrijojë sistemin e menaxhimit të financave publike dhe të shënojë progres në adresimin e korrupsionit endemik, nëpërmjet rindërtimit të institucioneve publike si dhe të infrastrukturës kombëtare. Paneli duhet t’i shikojë përpjekjet e vazhdueshme të Liberisë për të siguruar paqe, për të ruajtur stabilitetin dhe për të nxitur transformim ekonomik dhe social si një projekt suksesi për transicionin postkonflikt. Modelet e tjera inspiruese mund të gjenden edhe në Ruandë, Mozambik dhe Sierra Leone. 

Paneli është i përkushtuar të krijojë një propozim ambicioz, koherent dhe praktik për një agjendë të qëndrueshme të zhvillimit global. Procesi do të jetë i hapur, përfshirës dhe transparent dhe do të informohet nga opinionet dhe përvojat e ekspertëve dhe të palëve të interesuara që i prezantojnë të rinjtë, gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, sikurse edhe aktorët e tjerë legjislativë, akademikë dhe ndërqeveritarë. Paneli do të përfitojë po ashtu edhe nga përpjekjet “online” dhe “offline” për të angazhuar njerëz në mbarë botën dhe për ta pasqyruar të ardhmen që ata e parashikojnë. Perspektivat e tyre do ti pasurojnë përpjekjet për të zhvilluar një agjendë që i adreson prioritetet e tyre. 

Në një botë të turbulluar nga konflikti, përpjekjet e zhvillimit gjithnjë do të jenë të mangëta. Agjenda globale e zhvillimit post-2015 duhet të ketë një afrim gjithëpërfshirës, të kombinuar nga masat e reduktimit të varfërisë me iniciativat e ndërtimit të paqes dhe strategjitë për transformim ekonomik. Në këtë mënyrë, liderët globalë mund të nisin t’ia vënë themelet prosperitetit, drejtësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në të gjithë botën. Gjeneratat e ardhshme po llogarisin në këtë gjë. 

(Graca Machel është një anëtare e Panelit të Progresit për Afrikën, kryetare e fondacionit për zhvillim komuniteti dhe themeluese e “Fytyrat e reja, zërat e rinj”. Ajo është bashkëshorte e Nelson Mandelas. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”)