Tension dhe frikë e madhe mëngjesin e kësaj të diele, pak orë përpara ndeshjes mes Polonisë dhe Holandës. 

Rreth orës 12.30, në qendër të Hamburgut, ku po marshonin tifozët e Holandës, policia gjermane u detyruan të gjuante me armë zjarri për të ndaluar një burrë që sulmoi një oficer me sëpatë. Gjithashtu agresori kishte edhe një molotov me vete.

Gazeta gjermane Bild, raporton se policia, fillimisht përdori sprej piper në përpjekje për ta ndaluar, më pas qëlloi me armë zjarri si shenjë paralajmëruese. 

Por sërish agresori nuk ndaloi dhe më pas policia e qëlloi derisa burri me sëpatën në dorë ra në tokë. Agresori, i plagosur rëndë, u dërgua me një ambulancë në spitalë dhe shpëtua. 

Në video shfaqet një burrë, i veshur me të zeza dhe me një çantë shpine, që mbante një sëpatë dhe një molotovë teksa u bërtet oficerëve të armatosur.

Policia i kërkon që ai të dorëzohet, por ai kthen shpinën dhe vrapon ndërsa kalimtarët largohen të frikësuar nëpër rrugë.

Oficerët ngjiten mbi barrierat dhe qëllojnë agresorin, i cili më pas bie në tokë.

“Në StPauli aktualisht është një operacion i madh policor. Sipas konstatimeve fillestare, një person ka kërcënuar punonjësit e policisë me sëpatë dhe një mjet ndezës. Më pas policia përdori armët e zjarrit. Agresori ka mbetur i plagosur dhe aktualisht po merr tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Hamburgut në platformën X.