Nga kjo e enjte, nxënësit në gjithë Nju Jorkun do ta zhvillojnë online mësimin nga shtëpitë. Kryebashkiaku Bill de Blasio vendosi mbylljen e të gjitha shkollave për shkak të shifrave të larta të infektimeve mes nxënësve.
Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri pas 26 nëntorit, festës së Ditës së Falenderimeve.
“Askush nuk është i gëzuar për këtë vendim. Ishte diçka që duhej ndërmarrë, por ne kemi për qëllim t’i rikthehemi normalitetit më shpejt të jetë e mundur” – tha kryebashkiaku.
Vendimi u mbështet edhe nga Guvernatori i shtetit federal të Nju Jorkut, Endru Kuomo, i cili tha se shkollat renditen mes vatrave kryesore të përhapjes së koronavirusit në qytetin e Nju Jorkut.
Shumë shtete federale amerikane kanë aplikuar gjatë gjithë periudhës së pandemisë, mbylljen afat-shkurtër të shkollave, pasi këto institucione grumbullojnë në mënyrë të pashmangshme numrin më të lartë të personave.