Një vepër e shkruar nga një çift dhe e interpretuar nga një çift, për të dhënë mësime të forta për ato që sot njihen si “marrëdhënie të hapura”.

“Çifti i hapur”, shkruar nga autori fitues i çmimit Nobel, Dario Fo dhe gruaja e tij, Franca Rame, erdhi premierë mbrëmjen e së enjtes në teatrin e Durrësit, me regji të Sulejman Rushitit dhe personazhe kryesorë Suela Bakon dhe Romir Zallën.

Gjithçka fillon me çiftin; burrin kontabilist dhe gruan e tij, Antonia, një shtëpiake në depresion.

Për të dalë nga monotonia dhe për të “shpëtuar martesën e tij”, burri përpiqet të bindë gruan e tij që “të hapet” ndaj aventurave të reja … jashtëmartesore!

“Në këtë pjesë është vënë theksi në raportin ballkanik do thoja. Pra, si do të funksiononte ideja e çiftit të hapur në raportin ballkanik, në një ambient maskilist.

Ne jemi dëshmitarë, për fat të keq, që përshkak të raporteve të tilla regjistrohen edhe viktima, pra prej kësaj qasjeje, prej dominimit të mashkullit.

Sigurisht që ne këtë duam ta përcjellim përmes satirës dhe humorit, përmes asaj që teatri e ka si strumbullar në qenien e vet, në ekzistencën e vet, që është ‘sikur’-i”, thotë regjisori Sulejman Rushiti.

Po si vjen ky version modern i çiftit në realitetin ballkanik?

Këtë na e tregon Romir Zalla dhe partnerja e tij në jetë e në skenë, Suela Bako.

“Vepra është e ndarë në dy gjysma, ku në njërën pjesë ajo është e rrënuar dhe ai në kulmin e lulëzimit prej marrëdhënies me femra të tjera, ndërsa në pjesën e dytë ndërrohen portat, ai fillon të rrënohet dhe ajo e rimerr jetën e saj në dorë.”,– thotë Zalla.

“Unë them që këtu e gjejnë veten të gjitha. Besoj që të gjitha në një moment të jetës jemi lënduar.

Të martuarat e kanë edhe më të vështirë, sepse kanë përgjegjësi më të mëdha, sepse janë fëmijët, familja dhe duhet ta mbajnë lidhjen me zor, sepse kanë edhe opinionin, mentalitetin.

Ndodh kështu dhe për një vajzë të re, që duhet të qëndrojë me të dashurin e saj edhe nëse ai nuk sillet mirë, në kuptimin e besnikërisë.”,– shton Bako.

Mesazhe të forta, por edhe më të forta ishin emocionet e aktorëve.

“Vazhdojnë të më dridhen duart, se ishte vërtetë shumë ngarkesë e madhe. Salla ishte plot e përplot, kërkesa e publikut ka qenë emocionuese, ndihem vërtetë shumë falenderues për artdashësit durrsakë që mbushën sallën plot sot.” – thotë aktorja Bako.

“Ishte një natë shumë emocionale për ne, sepse sot ishte premierë për Durrësin, por në njëfarë kuptimi edhe për ne, sepse është vetëm shfaqja e dytë.”– nënvizoi Zalla.

Emocionuese ishte kjo mbrëmje edhe për “mysafirët”, pjesë e kastit të aktorëve. Elizabeta K. Mladensovska vjen nga Maqedonia e Veriut dhe është një prej tyre.

Është kënaqësi që gjendem në mesin tuaj. Jam shumë e emocionuar edhe pse nuk është hera e parë që luaj në një shfaqje në gjuhën shqipe.

Më pëlqejnë këto bashkëpunime, ashtu siç më pëlqen Shqipëria, jo më kot që prej 2016-ës vij i bëj pushimet këtu.”- thotë ajo.

“Çifti i hapur” është një produksion mes teatrove të Gostivarit dhe Durrësit.

Ajo do të vihet në skenë për artdashësit durrsakë edhe për një mbrëmje tjetër, atë të së premtes.

K.Gj.