Nga Dr. Bledar Kurti
Në këtë ditë, më 28 korrik 1922, pasi Woodrow Wilson, Presidenti i 28-të i SHBA mbrojti shtetin e pavarur shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në janar 1919 dhe mbështeti çështjen shqiptare, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhëniet diplomatike. Në këtë ditë, Komisioneri Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, njoftoi zyrtarisht Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për njohjen e vendit tonë nga Shtetet e Bashkuara.
Ndaj Shqipëria i mbetet mirënjohëse Woodrow Wilson pasi ishte ai që vulosi sovranitetin e Shqipërisë.
Gjatë Konferencës së Paqes në Paris, 1919, Presidenti Wilson pati ndikim të jashtëzakonshëm e vendimtar në ruajtjen e sovranitetit e popullit tonë. Ndaj ai do kujtohet gjithmonë si miku i madh i Shqipërisë, të cilin Fan Noli e vlerësoi si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare,” ndërsa Faik Konica cilësoi se “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Presidentit Wilson një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre.”
Lidershipi dhe shtetaria e tij gjatë Luftës së Parë Botërore, Platforma e tij prej 14 pikash, të cilat i hapën rrugën krijimit të Ligës së Kombeve e më pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndikuan në paqen botërore e shërbejnë edhe sot në ruajtjen e paqes në botë dhe marrëdhëniet më të mira e më transparente midis shteteve.
“Më thuaj çfarë është e drejtë dhe unë do të luftoj për të,” tha Wilson. Dhe kjo mbetet një thirrje për çdo shtetar, drejtues apo edhe individ të thjeshtë në çdo kohë e në çdo vend.