Të dënuarit dhe të paraburgosurit në institucionin e IEVP-së në Durrës, kanë pasur një ditë krejt ndryshe. Oborri i këtij burgu u mbush me cicërima fëmijësh dhe nga aktorët e cirkut të Tiranës, që dhanë një shfaqje të posaçme. Të dënuarit dhe ata që gjenden në paraburgim kanë pasur mundësinë që paraditen e sotme të qëndrojnë disa orë me të afërmit dhe fëmijët e tyre, duke pasur si argëtim edhe cirkun e Tiranës.

Të dënuarit, kryesisht ata me fëmijë, shprehen se kjo është një situatë e vështirë në të cilën gjenden, pasi edhe përdoruesit e drogës, edhe të dënuarit e tjerë për trafiqe dhe vepra të rënda dënohen njësoj nga gjykata. Nëse kapesh me 2 gramë kanabis sativa, 50 gramë kanabis, 10 kg heroinë, apo edhe një ton drogë, dënimi për veprat penale kundër narkotikëve janë të njëjta. Këtu ka prindër që janë dënuar me 4.9 vjet heqje lirie sepse janë kapur me 2 gramë hashash, por ka dhe nga ata që janë kapur edhe me tonelata drogë në port, e kanë të njëjtin dënim. Të gjithë kanë të njëjtën dëshirë të rrinë sa më gjatë me fëmijët e tyre në ditë të tilla me argëtim.  

Drejtori i burgut të Durrësit Astrit Kote, deklaroi se çdo muaj janë planifikuar 4 aktivitete argëtuese për të dënuarit me qëllim riintegrimin e tyre të shpejtë në shoqëri.

Në këtë burg të sigurisë së zakonshme gjenden ata që janë të dënuar për trafik narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera më të lehta. Aktualisht në këtë burg gjenden 290 persona të dënuar dhe në paraburgim.    

K.H.