Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku një makinë është përplasur me trenin e linjës Tiranë-Durrës.

Ngjarja është raportuar nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes.Fatmirësisht nga përplasja nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e Shkozetit, raporton Syri.net.

Siç bëhet e ditur nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, në makinë kanë qenë 6 persona, ndërsa me tren udhëtonin pak pasagjerë.

Po sipas dëshmitarëve, makina drejtohej nga një grua e cila është shfaqur e revoltuar për aksidentin ndërsa është shprehur se ‘i kishte dalë treni para’.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me aksidentin.

Vetëm një ditë më parë, DurrësLajm ngriti problematikën e kalimeve të paligjshme përgjatë hekurudhës në zonën e plazhit dhe Shkozetit.

Pikërisht këto kalimeve që nuk mbikqyren as nga roje dhe nuk kanë as tabela sinjalizuese, përbëjnë një rrezik potencial për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që kalojnë çdo ditë në to.