Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi sot ( 4 gusht) se Izraeli do të përpiqet ta vendosë çështjen e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës në qendër të agjendës ndërkombëtare. Deklarata e tij vjen një ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që është kërkuar pikërisht nga Izraeli.
“Ky është një problem që duhet të qëndrojë në ballë të skenës globale,” tha Sa’ar gjatë një konference për media në Jerusalem. “Do të udhëtoj sonte drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në seancën e posaçme të Këshillit të Sigurimit, që do të zhvillohet nesër me temë situatën e pengjeve.”
Ai shtoi se ka kontaktuar me homologët e tij në vendet e tjera për të kërkuar që kjo çështje të trajtohet me urgjencë në forumet ndërkombëtare.
Reagimet në Izrael janë shtuar pas publikimit të tri videove nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik, që tregojnë pengje izraelite në gjendje të rëndë shëndetësore. Pamjet e të burgosurve të dobësuar rëndë kanë shkaktuar tronditje në opinionin publik.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që të shtunën e quajti Hamasin “të pamëshirshëm”, deklaroi dje se ishte “i tronditur” nga videot. “Po i shohim fëmijët tanë të tretur në qelitë e errëta, ndërkohë që terroristët e Hamasit nuk u mungon asgjë. I çojnë drejt urisë, siç bënin nazistët me hebrenjtë,” tha ai.
Netanyahu akuzoi Hamasin për propagandë të egër dhe të rreme, duke theksuar se Izraeli nuk do të dorëzohet: “Jam edhe më i vendosur për lirimin e pengjeve, shkatërrimin e Hamasit dhe garantimin që Gaza nuk do të jetë më kërcënim për Izraelin.”
Të dielën (3 gusht), Netanyahu kërkoi edhe ndërhyrjen e Kryqit të Kuq për të siguruar ushqim dhe kujdes mjekësor për pengjet.
Ndërkohë, Hamasi ka kërkuar hapjen e “korridoreve humanitare për hyrjen e ushqimeve dhe barnave” për popullsinë e Gazës, që vuan nga uria pas muajsh të bllokadës së plotë izraelite dhe kufizimeve që kanë bllokuar pothuajse çdo ndihmë humanitare.
Deri në publikimin e videove, fokusi i komunitetit ndërkombëtar ka qenë mbi katastrofën humanitare që po ndodh në Rripin e Gazës.





