Kreu i qeverisë shqiptare ka ndarë në rrjetet sociale mëngjesin e kësaj të premteje disa foto nga takimi dje në Tiranë me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Mirëmëngjes, dhe me FotoALBUMIN e vizitës së një Miku të Madh të Shqipërisë e shqiptarëve dje në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Edi Rama.
Mes fotove të postuara janë momente nga takimi mes tyre në Kryeministri, inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë, foto së bashku me bashkëshortet e tyre, apo dhe nga pjesëmarrës të tjerë prezentë në inaugurimin e xhamisë.
Kujtojmë se nga vizita e një dite më parë në Tiranë e presidentit turk, mes të tjerash, u firmosën edhe tre marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, përkatësisht:
-Deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë.
-Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.
-Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.