Dhjetra qytetarë durrsakë morën pjesë mbrëmjen e kësaj të hëne në homazhet përpara bashkisë. 

Fëmijë e të rritur, qytetarë të thjeshtë, por edhe kryebashkiakja Emiriana Sako me dy binjakët e saj, ndezën qirinj në shenjë dhimbjeje për jetët e humbura në Turqi e Siri. 

Ndërsa i kanë ende të hapura, plagët e tërmetit të 3 viteve më parë, dhimbja për durrsakët është e pamasë. 

“Është ndjesi e tmerrshme. Kur shikojmë pamjet nga atje, na vijnë në mendje kujtimet dhe ndihemi shumë keq”. 

E kemi vuajtur vetë, kjo na e shton më tepër dhembshurinë”, thonë disa prej tyre. 

Më herët, në këtë ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit në kufirin turko-sirian, institucionet në Durrës ulën në gjysmë shtizë flamurin kombëtar. 

K.Gj.