DURRËS, 20 tetor 2013 – Emrin e qytetit bregdetar shqiptar të Adriatikut e mban dhe një pronë e paluajtshme në një ishull britanik (Durres Somerset Road Seaview PO34 5BQ) dhe që vlerësohet mbi 559 mijë sterlina. Për këtë mikrotoponim të ishullit Uajt (Wight) në La Mansh flet një portal britanik Isle of Wight County Press(http://www.iwcp.co.uk/). Pamjet nga kjo pronë në një pozicion të ngritur në rezortin Sivju (Seaview) janë panoramike, thotë portali. Fjala panoramike ndoshta është e varfër kur përshkruan pamjet e pabesueshme të detit nga Durrësi, në Somerset Road, Seaview. I ndodhur në një pozicion të ngritur mbi fshatin e vjetër, Durrësi duket si vilë njëkatëshe me nga rruga, por mos u mashtroni – shfrytëzoni mundësinë të hyni brenda kësaj shtëpie tre-katesh. Pronarët e tanishëm kanë jetuar në Durrës 33 vjet dhe e dinë shumë për historinë e ndërtesës, e cila u ndërtua afërisht në vitin 1900 nga Kapiteni Ring, që banonte përballë. Ajo ka ndryshuar fare pak gjatë viteve, por pronarët e tanishëm janë munduar të ruajnë sharmin e saj dhe ia kanë me kujdes të madh të konservojnë shumë nga tiparet e saj të bukura, vë në dukje shkrimi reklamë, që vazhdon me përshkrime të hollësishme të interierit dhe eksterierit. Veçse mungon informacioni pse kjo vilë quhet Durrës.
Info
Ishulli Uajt (Wight) është konte dhe ishulli më i madh i Anglisë, në La Mansh. Ndahet nga Britania e Madhe nga ngushtica e Solent-it. Ishulli ka disa rezorte, të cilat kanë qenë destinacionet e pushimeve që nga epoka viktoriane. Ka një sipërfaqe prej 384 km katrorë dhe popullsi 138 400 banorë. Qendra administrative është Njuport-i (Newport). Sivju-ja (Seaview) është një rezort i vogël në cepin verilindor të ishullit Uajt. Fshati popullohet me turistë dhe është vetëm 15 minuta me makinë nga qyteti i Rajd-it (Ryde), ku shumica e turistëve vijnë në ishull me traget ose hidroplan.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





