DURRËS, 19 tetor 2013 – Eneida Bega, e cila tani jeton dhe punon në Rimini (Itali), ka pasur fatin të takojë Nënë Terezën dhe foton e atij çasti e ruan si një kujtim të shtrenjtë. 24 vjet më parë, gjatë njërës prej vizitave të para të bamirëses shqiptare në vendin e saj, vogëlushja nga Durrësi ka marrë bekimin e Nënë Terezës. Eneida Bega, tashmë 29 vjeç, thotë se gjithçka ka ndodhur pas një koncerti në kampin e fëmijëve në Plepa të Durrësit, ndërsa fotoja e rrallë e gushtit të vitit 1989 mban firmën e fotoreporterit të ATSH-së Petrit Kumi.
“Isha vetëm 5 vjeç dhe bashkë me plot njerëz të tjerë ishim afruar ta shikonim Nënë Terezën – tregon Eneida për gazetarin e njohur Gëzim Kabashi. – Mami më kishte shpjeguar, siç mund t’i tregohet një fëmije, se gruaja imcake e veshur me pelerinën e bardhë kishte ndihmuar mijëra njerëz në mbarë botën. Pak minuta më vonë nga vendi ku ishte ulur Nënë Tereza i hodhi sytë te unë dhe më thirri me shenjë. Unë në ato çaste ndjehesha e ndrojtur dhe gati e frikësuar, por përkthyesja mi mblodhi duart rreth gjoksit, duke më treguar që Nënë Tereza ka dëshirë të lutet për ty dhe të të bekojë”. Kanë qenë vetëm pak minuta, por mbresat e atij takimi mes qindra fëmijëve në plazhin e Durrësit kanë mbetur të pashlyera për vajzën durrsake. Ka kaluar thuajse një çerek shekulli dhe për Eneidën ky takim, që është fiksuar në foton e mjeshtrit Petrit Kumi mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës së saj: “Kur flas me të tjerët gati nuk më besojnë, pasi është e rrallë të kesh takuar dhe të kesh pasur fatin të të bekojë Nënë Tereza”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





