Këshilli bashkiak i Durrësit ka lajmëruar së fundmi një seri iniciativash në favor të mjedisit, midis të cilave spikat synimi për të zgjidhur problemin e pikës së grumbullimit të plehrave në Porto Romano. Në fakt, me ditët e bukura të javës së shkuar që të shtynin në mbajtjen e dritareve hapur, mendoj se të gjithë kanë vërejtur se me perëndimin e diellit ndjehej një erë e keqe e padurueshme plehrash të djegura, fenomen që bezdis Durrësin prej vitesh. Por nuk është vetëm një çështje ere të keqe: djegia e plastikës dhe gomës prodhon dioksinën e dëmshme, substancë kaq intoksikuese sa është kataloguar si “kancerogjene e klasit I”. Në Itali, në rajonin e Napolit –i famshëm për grumbujt e trishtë të plehrave – kanceri vret 30 herë më shumë sesa në rajonet e tjera italiane, dhe është kancer nga plastika e djegur.

Në këtë gazetë janë publikuar speciale lidhur me rritjen e rasteve të kancerit dhe të autizmit tek fëmijët. Edhe pse çështja është akoma në diskutim, doktori Salvatore Pignatelli nga Taranto ka rihapur së fundmi hipotezën e lidhjes mes autizmit dhe dioksinës, ndërsa një mori studimesh ndërkombëtare tregojnë se dioksina e çliruar nga djegia e plehrave shkakton tumore si leucemi, sarkoma dhe limfoma, pa llogaritur dëmet e rënda në sistemin nervor, në atë kardiovaskular, në mëlçi, në veshka dhe në gji. Për më tepër, dioksina zvogëlon pjellorinë dhe, tek gratë shtatzëna, mund të shkaktojë keqformime tek foshnjat dhe abortime spontane, ndërsa sipas disa kërkimeve shkencore duket se ajo rrit lindjen e më shumë femrave sesa meshkujve.

Për këto arsye, në të gjithë botën e civilizuar djegia e plehrave në qiell të hapur është rreptësisht e ndaluar dhe po zvogëlohet në mënyrë drastike numri i pikave të grumbullimit të tyre, duke synuar përkundrazi në riciklimin e mbetjeve, për të rekuperuar materiale të ripërdorueshme, në vend të përballjes me problemin e eliminimit të tyre. Në fakt pikat e grumbullimit të plehrave, edhe pse kanë kosto menaxhuese të ulëta, shkaktojnë harxhim të lëndëve të riciklueshme dhe zënë zona të gjera territori, duke krijuar përqendrime të tepërta mbeturinash me pasoja të rënda për mjedisin. Për shembull, nëse një pikë grumbullimi merr flakë – dhe këtu ndodh çdo natë – nevojiten ndërhyrje bonifikimi të kushtueshme: në fakt, duhet gërryer terreni për të nxjerrë lëndët ndotëse dhe dioksinën që kanë depërtuar nën tokë dhe mund të infiltrohen në ujëra.

Në Shqipëri, Kodi Penal i vitit 1995 ndalon enkas ndotjen e ajrit dhe të ujërave. Kreu IV – “Vepra penale kundër mjedisit” përmban nenet e mëposhtëm:

Neni 201 – “Ndotja e ajrit”: “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet”.

Neni 203 – “Ndotja e ujërave”: “Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujërave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”.

Në pritje që Shqipëria do të zbatojë ligjet e saj dhe që qytetarët do të zhvillojnë më shumë sensibilitet ndaj temave mjedisore, më duket se bota e jashtme dhe sidomos Bashkimi Europian janë duke bërë presion të fortë mbi qeverinë dhe institucionet lokale, për t'i detyruar të adoptojnë masa dhe iniciativa të natyrës ekologjiste.

 Për Shqipërinë ekologjizmi nuk është një zgjedhje, por një detyrë politike ndërkombëtare

 

Në tre vitet e fundit, në Shqipëri ka ndodhur një kthesë politike shumë kurioze: qeveria aktuale, që teorikisht është e djathtë, ka përqafuar me pasion dhe entuziazëm temat e mbrojtjes së mjedisit dhe të ekologjisë, që përbëjnë zakonisht pikat-kyçe të programeve të partive të së majtës. Kjo kthesë ekologjiste do të duhej t'i kënaqte të gjithë, sepse temat e mjedisit po bëhen “të shenjta” dhe kryesore për të gjithë krahët politikë, në emër të së mirës së përbashkët. Qëndron fakti se, me gjasë, nuk ishte parë kurrë një qeveri që ndryshon në mënyrë kaq radikale linjën e saj mbi tema që, historikisht, kanë krijuar dallimin mes të djathtave dhe të majtave “klasike”.

Deri tre vjet më parë, qeveria shqiptare pikësynonte industrializimin e vendit nëpërmjet realizimit të impianteve dhe infrastrukturave jo saktësisht ekologjike. Ishin nën ekzaminim projekte energjitike madhështore, nga hidrocentralet dhe digat për çdo lumë deri tek ndërtimi i shumë parqeve energjitikë, të gjitha të pajisura me një TEC, nga impiante përpunimi gazi gjatë bregut deri tek hipoteza e një centrali bërthamor. Qeveria shqiptare vepronte në mënyrë koherente me ideologjinë politike që e frymëzon, duke mbështetur – ashtu si çdo e djathtë konservatore në botë – projektet e “industrisë tradicionale”, që dëmtojnë mjedisin, por krijojnë vende pune dhe e bëjnë vendin të pavarur në planin energjitik. Megjithatë, gradualisht, qeveria jonë ka treguar një hapje moderne ndaj energjive të rinovueshme dhe ekologjike, që vitet e fundit janë bërë flamuj elektoralë të të gjitha të majtave botërore.

Në vendet e botës ku qeveris e djathta, impiantet e energjisë “alternative” janë konsideruar të padobishëm dhe utopistë, janë akuzuar se shpenzojnë më shumë sesa prodhojnë dhe, shpesh, janë vulosur si “skllavë të interesave dhe lobeve politike”. Por, me gjithë rezistencën nga ana e disa qeverive, Bashkimi Europian po shtrëngon të gjithë anëtarët e tij për të promovuar burimet e energjisë “së gjelbër”, sepse qendrat e pushtetit të Brukselit janë të orientuara shumë majtas dhe besojnë në energjinë eolike dhe në panelet diellore. Qeveria shqiptare ka “nuhatur” shpejt se nga fryn era dhe, ndryshe nga homologët e tjerë të të djathtave europiane, nuk i ka bërë rezistencë ambientalizmit politik të BE, duke i hapur derën me buzëqeshje.

Përveç objektivit të integrimit europian, “pasioni i gjelbër” i të djathtës shqiptare mund të jetë kondicionuar nga borxhi moral e material që Shqipëria ka me krahun e politikës amerikane të përfaqësuar nga familja Clinton dhe me Partinë e Gjelbër gjermane, sepse në vitet ’90 Amerika klintoniane dhe Gjermania kanë mbështetur Shqipërinë, duke promovuar imazhin e saj jashtë vendit. Një nga shtyllat e politikës globale të grupit Clinton është “ekonomia e qëndrueshme”, për të cilën ish presidenti i kushtoi Samitin e Amerikave në 1994. Me atë rast u deklarua teorema e famshme: “garantimi i një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, duke ruajtur mjedisin natyror për brezat e ardhshme”, që u bë slogani i ambientalistëve të të gjithë botës.

Mendoj se të gjithë kanë vërejtur se me perëndimin e diellit ndjehej një erë e keqe e padurueshme plehrash të djegura. Por nuk është vetëm një çështje ere të keqe: djegia e plastikës dhe gomës prodhon dioksinën, substancë kaq intoksikuese sa është kataloguar si “kancerogjene e klasit I”. Në të gjithë botën e civilizuar djegia e plehrave në qiell të hapur është rreptësisht e ndaluar, duke synuar përkundrazi në riciklimin e mbetjeve, për të rekuperuar materiale të ripërdorueshme, në vend të përballjes me problemin e eliminimit të tyre… 

Amerika clintoniane “zhdoganoi” partitë e gjelbra të të gjithë Europës, duke i kthyer në elementë të vlefshëm të qeverisë. Rasti i Gjermanisë është emblematik: ndërsa në vitet ’70 dhe ’80 të Gjelbrit ishin konsideruar “fanatikë utopistë” nga pjesa tjetër e popullsisë, në vitet ’90 kanë mësuar të qeverisin, duke marrë pjesë qoftë në koalicionet e të majtës qoftë në koalicionet e të djathtës. Por mbi të gjitha, në Gjermani ekologjizmi nuk është më modë idealiste por është bërë biznes dhe Partia e Gjelbër merr një mbështetje të fortë nga “sipërmarrjet ekologjike” të reja, që pikësynojnë në energjitë e rinovueshme. Sot, në Gjermani, biznesi i ekologjisë përfaqëson një lobi shumë të fuqishëm dhe në rritje të vazhdueshme, që po ia kalon në pushtet lobit të industrisë tradicionale. Ky model biznesi “i gjelbër” ka pushtuar edhe majat e Bashkimit Europian, të cilat nga ana e tyre po ia imponojnë të gjitha shteteve-anëtare – apo pothuaj-anëtare, si Shqipëria, e cila zbaton me kënaqësi direktivat e dhëna nga protektorët e saj të viteve ’90.

 Shqipëria, mjedisi dhe menaxhimi i mbetjeve: një çështje kulturore-fetare

 

Megjithatë, çështja e djegies së mbeturinave është emblematike përsa i vështirë është sensibilizimi i opinionit publik shqiptar në përqasje me tematikat mjedisore, edhe kur janë të mbartura me pasoja për shëndetin. Nga ana tjetër, të gjitha zonat e Mesdheut jugor dhe të Lindjes së Mesme paraqesin vështirësi të shumta në përpunimin e plehrave. Përse? Sepse në rajone ku sensibiliteti ekologjik është i mangët, ka shkaqe kulturore dhe besime fetare që i çojnë tek një bashkëjetesë më e lehtë me mbeturinat, mjaft që të jenë jashtë nga dyert e shtëpisë së tyre. Brenda shtëpisë duhet të mbretërojë një pastërti perfekte, ndërsa tolerohet pisllëku në hapësirat publike, në rrugë dhe deri tek shkallët e pallateve.

Sigurisht, njerëzit do të pretendonin një ndërhyrje – natyrisht falas dhe pa tatim – nga ana e “shtetit”, një vepër pastrimi që duhet të ndodhë si magji, të zbresë nga qielli si “Deus ex machina”, pa lodhjen minimale nga ana e qytetarit për mbajtjen e higjienës dhe të dinjitetit publik. Pra, sjellja sociale në Mesdheun jugor – përfshirë Ballkanin jugor – është ajo e delegimit total të problemit të mbeturinave tek autoritetet shtetërore të idealizuara, pa asnjë pjesëmarrje të komunitetit. Nëse shteti nuk ndërhyn, qytetari toleron praninë e mbeturinave dhe, kur sasia e tyre kalon limitet e durimit, i djeg, ashtu si fshatarët e gjithë botës kanë djegur gjithmonë gjethet dhe barishtet e thata në fushat dhe oborret e tyre. Por, sot, digjet plastika e kështu thithet dioksina.

Bashkëjetesa e çuditshme ndërmjet njeriut dhe plehrave në Mesdheun jugor dhe në Lindjen e Mesme vjen nga arsye kulturore. Të gjitha shoqëritë “tradicionale” janë karakterizuar nga pranimi i të keqes si një pjesë e pandarë e jetës njerëzore: pranohet pasivisht sëmundja dhe vdekja – që përkundrazi terrorizojnë shoqëritë “jo tradicionale” – dhe në të njëjtën mënyrë tolerohet prania e mbeturinave, që janë thjesht pasojë e “luksit” për të ngrënë, për të pastruar shtëpinë, për t'u veshur. Ushqimi që na mban në jetë ka skarcot e tij, produktet për higjienën shtëpiake kanë scarcot e tyre, veshjet e këpucët prishen. Në jetë merret, konsumohet dhe hidhet poshtë: është një cikël natyror me të cilin njeriu bashkëjeton.

Për më tepër, meqë shoqëritë e Mesdheut jugor dhe të Lindjes së Mesme janë shoqëri islamike ose kanë jetuar për shekuj nën influencën myslimane, në këto zona është shumë i thellë kontrasti midis “pastërtisë” (edhe shpirtërore) së shtëpisë dhe “papastërtisë” së ambientit të jashtëm, dhe kështu është e pranueshme se të vetmet vende të pastra janë ndërtesat fetare dhe shtëpitë. Feja islame parashikon një dallim të rreptë midis “hallall” dhe “haram”, duke konsideruar mbeturinat si “haram” dhe prandaj i ndalon besimtarëve myslimanë të prekin dhe të përpunojnë plehrat. Jo rastësisht, në Egjipt, fshesaxhinjtë dhe ricikluesit janë të gjithë krishterë ortodoksë kopti (të famshmit “zabalin”), ndërsa në Shqipëri vërehet që shumica e fshesaxhinjve janë rom dhe “ricikluesit” (për shembull ata të Porto Romanos) i përkasin sidomos komuniteteve katolike të Mirditës dhe të Pukës. Kështu në qytetet arabe – por edhe në ato afrikane dhe indiane – bashkëjetohet me plehrat nëpër rrugë dhe nuk ekzistojnë programe serioze për përpunimin, jo vetëm për pamundësi ekonomike nga ana e qeverive, por edhe sepse “problemi” nuk ndjehet si një prioritet social.

Tani, në Shqipëri përpunimi i plehrave dhe përhapja e një stili jete ekologjike a ndjehen si prioritete sociale? Është prioritet për të ndaluar thithjen e dioksinës? Është prioritet të mos shohësh më letra rrugëve (e pra të mos i hedhim ne vetë)? Është prioritet të gëzohemi me plazhet pa plehra (e pra të jemi ne vetë ata që marrin me vete shishet, kanaçet e pakot e patatinave të zbrazura)? Është një prioritet të mos shohësh më qese plehrash të komshinjve në shkallët e pallateve? Nëse këto gjëra nuk ndjehen nga shoqëria si prioritete, atëherë është e padobishme që qeveria dhe administratat lokale të promovojnë iniciativa ambientaliste dhe të angazhohen në riciklimin e plehrave. Duhet më parë të sensibilizohen njerëzit dhe të bëhet prioritet pastrimi i mjedisit dhe stili i jetës ekologjik, pikërisht siç janë prioritete për shqiptarët televizori dhe makina.