Një 59-vjeçare nga Prizreni i Kosovës ka ndërruar jetë në Aeroportin e Ataturkut në Stamboll në kohën që avioni po bëhej gati të nisej për fluturim.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetat turke “Hurriyet”, “Milliyet” dhe “Haberturk”, sipas të cilave, Boeing 737-800 i linjës Stamboll-Prishtinë kishte dalë në pistë dhe ishte gati të nisej kur shqiptarja e Kosovës pësoi një krizë në zemër.
59-vjeçares Emel Pecani ndihmën e parë ia dha ekuipazhi. Ajo fatkeqësisht humbi jetën pa marrë ndihmën e specializuar.
Ngjarja e rëndë është pasqyruar edhe në komunikimin e pilotit të avionit me kullën e vrojtimit të aeroportit.
“Aktualisht një e sëmurë po vdes”, tha Piloti teksa kërkonte të kthehej në vendparkim nga rruga më e shkurtër. “Na dërgoni një ambulancë”, tha ai, por kosovarja humbi jetën pa u ndalur avioni.
Sipas “HaberTurk” avioni me 91 pasagjerë në bord i cili duhej të nisej për Prishtinë në orën 09:47, u nis në orën 12:00 të së Premtes.
Sipas medias turke Pecani vuante nga një sëmundje e rëndë./tvklan.al