Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, rritja e mefshtë ekonomike në tremujorin e tretë që koincidon mu në kulmin e ardhjes së turistëve në vend dëshmon fasadën e një qeverie që nuk ka prodhuar një ekonomi të shëndetshme.
Ndërsa analizon të dhënat për vitin 2023, Tabaku thekson se shqiptarët po e mbyllin këtë vit më të varfër se një vit më parë.
Reagimi i plotë:
Shqiptarët po e mbyllin vitin 2023 më të varfër se një vit më parë dhe tërësisht të pa përgatitur për një krizë që sipas të gjitha gjasave do të prekë më shumë të ardhurat e tyre duke i varfëruar.
Në të dhjetin vit të qeverisjes socialiste ekonomia shqiptare vuan plotësisht pasojat e një vizioni ekonomik të ndërtuar mbi vetëm një sektor; atë të ndërtimit që fatkeqësisht po sponsorizohet në shumicë dërrmuese nga paratë e pista.
Të dhënat nga INSTAT flasin për rënien e fortë të industrisë nxjerrëse dhe gjithashtu edhe asaj përpunuese. Sakaq, rritja e mefshtë ekonomike në tremujorin e tretë që koincidon mu në kulmin e ardhjes së turistëve në vend dëshmon fasadën e një qeverie që nuk ka prodhuar një ekonomi të shëndetshme dhe që i përgjigjet rreziqeve.
Të gjithë këto të dhëna përkthehet edhe tek të ardhurat në rënie të shqiptarëve dhe të GDP/frymë. Shifrat e EUROSTAT tregojnë jo vetëm një diferencë të frikshme mes fuqisë blerëse të shqiptarëve me mesataren e BE por janë dëshmi e renditjes si vendi më i varfër në rajon.
Që prej vitit 2013 kur kjo mazhorancë fitoi zgjedhjet shqiptarët janë taksuar me 3 miliardë euro taksa në total. Edhe pse taksat janë rritur, duke rënduar xhepin e shtresës së mesme, të ardhurat që mbledh qeveria në fund të vitit janë në të njëjtën masë me një dekadë mëparë, njëkohësisht edhe dshmi e korrupsionit klientelist që sipas FMN i heq 10% të PBB më shumë tëardhura buxhetit të shtetit.
Sipas INSTAT paga reale për vitin 2022 e zhveshur nga efekti inflacionist ka qenë 1.5%. Në ndërkohë që të dhënat për 12 qarqe na tregojnë se në 9 prej tyre paga reale është shumë herë më e vogël se sa inflacioni. Në qarkun Kukës, paga reale e zhveshur nga inflacioni është 2.7% ndërkohë që inflacioni i çmimeve të konsumti është thuajse 7%.
Krahasimi i Shqipërisë me rajonin tregon se ne kemi përqindjen më të lartë të varfërve (23.9%) dhe kemi mbështetjen më të ulët sociale dhe pensioneve duke pasur vetëm 11.5% të PBB për mbrojtjen sociale dhe pensionet. Edhe pse qeveria krenohet se po bën rritjen më të madhe të pagave në 30 vite sërishmi ajo shpenzon më pak se sa gjithë rajoni për rrogat në raport me PBB. Nëse Serbia shpenzon 10% të PBB për pagat, qeveria shqiptare shpenzon 4.7% duke qenë më poshtë edhe se Kosova.
Për vitin 2024 të dhënat pritet të jenë edhe më të përkeqësuara ku të gjithë profesionistët e lirë do të taksohen deri në 23% ndërkohë që bizneset e mëdha taksohet sot në 15%.
Një letër e eksportuesve drejtuar qeverisë paralajmërojnë atë se mbi 70 mijë familje rrezikojnë të përfundojnë në rrugë si pasojë e politikave të gabaura të qeverisë në tolerimin e lavatriçes së madhe të parave. Ka qenë kjo politikë e mbështetur me heshtje dhe jo vetëm që ka ndikuar në zhvlerësimin e pakuptimtë të Euros që ka prodhuar më shumë kosto për bizneset eksportuese teksa qeveria vazhdon të mos prodhojëasnjë politikë mbrojtëse për këto sipërmarrje.
Të vetmit që nuk pësojnë asnjë rënie nga pagesat e buxhetit, mbetet zëri i PPP/koncesione që për vitin 2024 do të marrë 145 mln euro më shumë se sa viti aktual. Vlera e kontratave tëPPP përllogaritet të jetë sa 50% e Produktit të Brendshëm Bruto ku SPAK ka nën hetim thuajse 50% të këtyre PPP-ve.
Agimi i 2024, për fatin e keq është një dëshmi se kaosi i një politike ekonomike vrastare për xhepat e shqiptarëve në dhjetë vite do të vazhdojë.
Shqipëria sot ka nevojë të rishpikë veten qoftë në model ekonomik e qoftë në mënyrën se si trajton burimet! Sot procesi i integrimit duhet përdoret si një mënyrë për të eleminuar hapësirat e jashtëzakonshme në të ardhura me rajonin e duhet të fokusohet te rritja e forcimi i avantazheve që ne kemi duke përdorur tregun rajonal e më gjerë. Investimi në teknologji informacioni duke e lidhur me arsimin, investimi në mbështetje të turizmit e bujqësisë si dhe në diversifikim energjie duhet të jetë prioriteti. Por asgjë nga këto nuk do të ketë efekt nqs nuk e bëjmë luftën ndaj korrupsionit prioritet kombëtar. Farkeqësisht burimet po tkurren nga korupsioni!
Qoftë 2024 më i mirë për familjet shqiptare!