Mbrëmjen e së enjtes në një nga hapësirat e galerisë së arteve “Nikolet Vasia”, u hap ekspozita me fotografi të komunitetit rom të autorit Elvin Shytaj. Drejtori i galerisë, Edmond Agolli, duke u bazuar në përmbajtjen e fotove të autorit Elvin Shytaj thekson se kjo është një ndër ekspozitat më të veçanta që është hapur që nga krijimi i galerisë. Agolli u shpreh se ky është një realitet i jetuar nëpërmjet fotografisë dhe është një gjë tepër e veçantë si për qytetin e Durrësit ashtu dhe për të gjithë Shqipërinë.

“Kush nuk e ka ëndërruar këtë magji, kush nuk e ka ëndërruar tejpamësinë e saj në këtë shikim, ashtu siç i përgjërohet dhe kënga ‘Më mirë me ty dhe fukara sesa pa ty dhe i pasur’. Ky është shpirti, kjo është jeta, kjo është bota e këtij komuniteti. Krahas hartave që Shqipëria shfaq në gjysmën tjetër të ekspozitës nga shekulli i dytë deri më sot është hapur dhe kjo ekspozitë me këto foto të mrekullueshme. Ky është realiteti shqiptar që ekziston në Shqipëri”,- tha drejtori Agolli.

Kjo është hera e parë që në galerinë “Nikolet Vasia” qëndrojnë njëkohësisht të hapura dy ekspozita. Autori i fotove të ekspozuara në galeri synonte një aktivitet me sa më pak bujë, por sinjfikativ për banorët e qytetit të Durrësit. Minoriteti rom në vendin tonë bashkëjeton prej një kohe shumë të gjatë me komunitetet e tjera dhe gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të integrohet dhe të jetojë sipas zakoneve dhe traditave që ata trashëgojnë në shekuj.

Por një fakt që duhet theksuar është se megjithëse ata erdhën dhe u vendosën paqësisht në Shqipëri më tepër se 600 vite më parë, ata ende janë të përjashtuar nga shoqëria jonë. Kjo vjen si pasojë e indiferentizmit, paragjykimit dhe diskriminimit me të cilin është përballur gjithnjë ky komunitet gjë që ka çuar në vetizolimin e tyre akoma më të madh. Niveli i ulët i shkollimit është problematika e tyre më e mprehtë. Ajo pengon integrimin e tyre në shoqëri. De facto gjejmë vetëm pak anëtarë të komunitetit rom që të ndjekin shkollën e lartë, madje numri i tyre është i ulët edhe në sistemin parauniversitar. Të papunët në rradhët e këtij komuniteti janë të shumtë.

Tregtimi i rrobave të përdorura dhe të lypurit janë ndër profesionet më popullore të kësaj shtrese. Disa nga profesionet që e kanë bërë këtë komunitet të njohur ndër vite janë sidomos ato të muzikantëve, punimet e ndryshme të zejtarisë etj. Në përgjithësi familjet e komunitetit rom kanë shumë fëmijë dhe përballen me shumë vështirësi në rritjen e tyre. Duke mos qenë të rregjistruar zyrtarisht, këto fëmijë nuk përfitojnë nga kujdesi shëndetësor dhe vaksinimet e tjera të detyrueshme.

Elvini e quan veten me fat që ka përjetuar këtë eksperiencë të paharrueshme dhe një mikpritje përgjatë viteve 2009-2011 në dy kampet më të mëdha të tyre në Tiranë. Autori Elvin Shytaj shprehet se ata që janë të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ndodhen këtu jo vetëm falë tij, por dhe falë të gjithë atyre që e kanë ndihmuar për të bërë këtë reklamim. E ka filluar këtë projekt me dëshirën për t’i ndihmuar sadopak këta njerëz, ai beson se ishin ata që e mësuan dhe ndihmuan shumë më tepër atë nëpërmjet thjeshtësisë dhe mikpritjes së tyre. Elvin Shytaj vazhdon duke thënë se ne jetojmë në një shoqëri që është e lodhur me problemet dhe hallet e përditshme.

“Besoj se nuk duhet të harrojmë se ka ende njerëz që kanë nevojë për një fjalë të ngrohtë që jetojnë në këto kushte dhe duhet t’i shohim me një sy tjetër pra për t’i dhënë një ndihmë. Për të gjithë ka një herë të parë që na takon gjithsecilit prej nesh ta bëjmë. Nuk pretendoj se kam bërë diçka për ta pasqyruar me përmasa të mëdha thjesht kjo ekspozitë e imja pasqyron jetesën reale të komunitetit rom”,- tha Shytaj.