Në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” në Durrës është hapur një ekspozitë e veçantë.

Në të janë ekspozuar një galeri fotosh të realizuara nga banorët dhe një grup veprimtarësh të Komisionit Këshillimor Qytetar Vendor në Durrës, të mbështetur nga qendra “Lëviz Albania”.

Kjo foto ekspozitë përfaqëson nëpërmjet fotove shqetësimin e paraqitur nga banorë të zonës së ish-Kënetës rreth problematikave të pazgjidhura ndër vite nga pushteti qëndror dhe vëndor.

Sipas përfaqësueses së Komisionit Këshillimor Qytetar në Durrës, Migena Nako, “qëllimi i kësaj nisme ishte ndikimi për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike në këtë zone”.

Në grupin e punës janë përfshirë 15 individë që punojnë ose jetojnë në komunitet. Në fjalën e saj, Nako ka nënvizuar se kjo metodë është një risi në krahasim me të shkuarën, si një përqasje e re e komunitetit për të qënë më aktiv në strukturimin e jetës së tyre atje ku banojnë.

Suksesin e kësaj foto ekspozite e ka përshëndetur në ceremoninë e prezantimit edhe përfaqësuesi i qendrës “Lëviz Albania”, Bledar Muniku.

Rreth ekspozitës dhe punës për ta realizuar atë për problematikat konkrete shqetësuese të sjella në galeri, folën edhe përfëqësuesit e grupit të punës.  

Në ceremoninë e çeljes së fotoekspozitës kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të bashkisë së qytetit të Durrësit. 

K.H.