Mospjesëmarrje në formë proteste për gjendjen mjerane në të cilën ndodhet galeria e artit pamor “Nikolet Vasia”.

Ishte kjo forma që kishin zgjedhur artistët durrsakë për të shprehur indinjatën e tyre për ambientet e vetme publike, ku krijuesit e artit pamor mund të ekspozojnë punimet.

Të bësh art nuk është aspak e lehtë në ditët tona, por kur mungon mbështetja institucionale gjërat vështirësohen edhe më shumë.

Shqetësimi i artistëve u përcoll përmes nënkryetarit të Klubit të Shkimtarëve dhe Artistëve Durrës, Idriz Balani dhe kuratores Marjana Goxhabelliu.

“Kjo ekspozitë që është bërë, edhe ata që nuk marrin pjesë në shenjë protestë për sallën që s’ka galeri, por edhe ne që kemi marrë pjesë, që të gjithë jemi në të njëjtën linjë dhe e quajmë një ekspozitë protestë për të përmirësuar këtë sallë ekspozimi. Ajo duhet të rikthehet mjaft e mirë dhe pastaj dalë ngadalë të krijohet mundësia për një galeri arti”,– tha Balani për “DurrësLajm”.

“Sado të jetë e bukur të jetë piktura, në këto mure kaq të pista, me gozhda të shtrembëta, me këtë tavan kaq katastrofë nuk e di sesi këto vepra rrinë dhe duken bukur, me gjithë këtë situatë”,– deklaroi Goxhabelliu.

E hapur më 17 janar 1968, me 100 vepra në fondin e saj, galeria e artit figurativ në Durrës ka pushuar së ekzistuari prej mëse 30 vitesh tashmë.

Kjo sipas skulptorit Balani ka krijuar një humbje të madhe për artin durrsak.

“Ka qenë një galeri e para në Shqipëri pas galerisë kombëtare dhe për fat të keq sot nuk e kemi. Madje ka 33 vite që nuk është blerë asnjë vepër e re për ta pasuruar. 33 vite vakuum, boshllëk sikur në Durrës nuk ka ekzistuar fare arti”.

“Kam shpresë që bashkia patjetër do të bëjë një galeri të denjë për artistët, pasi Durrësi ka artistë shumë të mirë, duhet të bëjë një fond të vetin dhe të ndihemi të respektuar edhe punët tona, edhe ne si artistë, sepse këtu nuk ndihemi të respektuar”,- deklaroi kuratorja.

Me 37 artistë pjesëmarrës dhe 90 vepra të përzgjedhura, ekspozita “Nëntori ynë” synoi të rikthente në qytetin bregdetar traditën e bukur të ekspozitave kolektive të hapura çdo fundvit në Durrës.

Në ekspozitë ishin pjesëmarrës me punimet e tyre edhe 3 artistë të njohur të artit pamor në Durrës e Shijak si Nelo Lukaçi, Agim Faja dhe Skënder Kokobobo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor.

M.B..