Nga Dr. Bledar Kurti
Gjatë dekadës së fundit, përpos viktimave të shumta në zonat e luftës ka patur numër të madh viktimash për shkak të besimit. Hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët sot e gjejnë veten në një botë ku identiteti i tyre fetar shpesh përdoret si objektiv për diskriminim, dhunë, vrasje dhe përjashtim.
Të dhënat janë tronditëse. Çdo qytetar i botës duhet ta dijë se çfarë po ndodh.
Antisemitizmi ka njohur një rritje të fortë, në nivele alarmante në kujtesën e afërt, me komunitetet hebraike në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe gjetkë që përballen çdo ditë me kërcënime, sulme fizike dhe atentate ndaj hapësirave të tyre të shenjta.
Vetëm disa javë më parë, një sinagogë e nderuar në Nju Jork u godit me automjet në atë që autoritetet po e hetojnë si krim urrejtjeje. Në Gjermani, një turist u godit me thikë në Memorialin e Holokaustit në Berlin, në një sulm me motive qartësisht antisemite. Dhe tragjikisht, një nga sulmet më vdekjeprurëse antisemite të dekadave të fundit goditi një festival hebraik në Australi, duke marrë jetë të pafajshme në një akt të dënuar gjerësisht si terrorizëm.
Antisemitizmi është rritur ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht i lidhur me konfliktet gjeopolitike. Janë dokumentuar nivele rekord të incidenteve antisemite, me mbi 9.300 raste në SHBA vetëm në vitin 2024, mesatarisht mbi 25 incidente në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave. Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje lidhet me pasojat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe dinamikat e luftës që pasuan, duke mjegulluar kufijtë mes anti-sionizmit dhe urrejtjes ndaj hebrenjve.
Prirje të ngjashme janë vërejtur në Evropë dhe rajone të tjera. Është parë rritje e sulmeve antisemite në Australi, Itali, SHBA dhe Argjentinë në vitin 2024 krahasuar me 2022-in, përfshirë zjarrvënie dhe vandalizëm ndaj sinagogave — shpesh pa ndjekje penale domethënëse.
Një rabin, teksa po shkonte për shërbesa fetare në Queens, u sulmua fizikisht dhe u shënjestrua me fyerje, sërish në vitin 2026. Në vitin 2025, një sulm me thikë në Memorialin e Holokaustit në Berlin pasqyroi qëllim të hapur antisemit. Në dhjetor 2025, në Sidnej të Australisë, një sulm terrorist ndaj një feste të Hanukës në Bondi Beach la rreth 15 besimtarë hebrenj të vdekur, sulmi më vdekjeprurës antisemit në historinë australiane.
Këto raste tregojnë se si dhuna dhe frikësimi antisemit janë rikthyer fuqishëm, shpesh të lidhura me dhunë më të gjerë politike, por duke depërtuar me frekuencë alarmante në jetën e përditshme qytetare.
Megjithatë, hebrenjtë nuk janë të vetmit në shënjestër të intolerancës. Edhe myslimanët janë përballur me një valë në rritje të islamofobisë, e cila shndërrohet në diskriminim në arsim, punësim, veshje dhe, në mënyrë alarmante, në krime të dhunshme urrejtjeje. Vrasjet e organizuara të burrave myslimanë në Nju Meksiko në vitet 2021–2022 mbeten një kujtesë e zymtë e pasojave vdekjeprurëse të paragjykimit çnjerëzor.
Ekspertë të OKB-së kanë paralajmëruar se islamofobia po rritet në “nivele alarmante”, duke sjellë diskriminim dhe dhunë vetëm për shkak të identitetit fetar. Organizata të shoqërisë civile dhe studime të rrjeteve tregojnë përjashtim sistemik, stigmatizim dhe dhunë raciste ndaj myslimanëve dhe atyre që perceptohen si myslimanë në kontekste evropiane.
Një rast i theksuar i dhunës anti-myslimane në SHBA ishin vrasjet e myslimanëve në Nju Meksiko (2021–2022), ku katër burra myslimanë u zunë në pritë dhe u vranë në sulme të lidhura me urrejtjen; autori më pas u dënua pjesërisht për këto krime.
Njëkohësisht, diskriminimi mbi bazën e veshjes dhe praktikës fetare vazhdon në shumë vende, me debate politike mbi shamitë dhe simbolet e tjera fetare që prekin në mënyrë disproporcionale gratë myslimane.
Ndërkohë edhe të krishterët po përballen me persekutim në kontinente të ndryshme: nga besimtarë të vrarë dhe kisha të shkatërruara në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, deri te mijëra sulme të regjistruara çdo vit në Evropë.
Persekutimi global i të krishterëve mbetet i gjerë. Një në shtatë të krishterë në botë përballet me nivele të larta diskriminimi ose persekutimi, që përfshijnë vrasje, arrestime dhe diskriminim në qindra vende.
Nga tetori 2024 deri në shtator 2025, janë dokumentuar 4.849 të krishterë të vrarë, 4.712 të ndaluar ose të burgosur dhe 3.632 sulme ndaj kishave në mbarë botën.
Vetëm në Evropë në vitin 2024 u regjistruan mbi 2.200 krime urrejtjeje kundër të krishterëve, nga vandalizmi dhe sulmet fizike deri te zjarrvëniet ndaj kishave, me numrat më të lartë në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.
Dhuna ndaj të Krishterëve në Nigeri është alarmante. Gjatë dekadës së fundit, Nigeria ka qenë një nga vendet më vdekjeprurëse në botë për të krishterët për shkak të dhunës së vazhdueshme militante.
Nga afro 5.000 të krishterë të raportuar të vrarë për shkak të besimit të tyre në një vit të vetëm globalisht, rreth 3.490 ndodheshin në Nigeri, duke e bërë vendin më vdekjeprurës në botë për viktimat e krishtera.
Organizata monitoruese dhe raporte të shoqërisë civile vlerësojnë se mijëra të krishterë u vranë në Nigeri në vitet 2024 dhe 2025, me mbi 7.000 të vrarë vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2025, çka përkthehet në dhjetëra vrasje në ditë sipas disa raportimeve.
Sulmet shpesh përfshijnë masakra fshatrash, bastisje kishash, rrëmbime të klerikëve dhe laikëve, shkatërrim të objekteve kishtare dhe zhvendosje masive, veçanërisht në shtetet Benue, Plateau, Kaduna dhe Taraba.
Nikaragua ka ndaluar Biblën dhe lufton Krishtërimin. Regjimi Ortega ka ndërmarrë një fushatë të qëndrueshme kundër krishterimit, veçanërisht institucioneve katolike, duke përfshirë mbi 870 sulme të dokumentuara ndaj Kishës Katolike që nga viti 2018, përfshirë arrestime, keqtrajtime dhe konfiskime. Ipeshkvi i Matagalpës, Imzot Rolando Álvarez, u burgos dhe më pas u deportua pas një ndalimi të gjatë.
Në një mohim thellësisht simbolik të të drejtave themelore, Nikaragua ndaloi importin e Biblave dhe literaturës tjetër fetare në pikat kufitare, një veprim që pasqyron ashpërsimin e goditjes ndaj lirisë fetare. Njoftime që ndalonin Biblën u shfaqën në terminale autobusësh pranë kufijve të Nikaragës, duke kriminalizuar praktikisht posedimin e Biblës për udhëtarët që hynin në vend.
Këto masa u shoqëruan me mbylljen e mijëra OJQ-ve fetare dhe shërbesave të krishtera, arrestime masive të pastorëve dhe shtypje të dhunshme të shprehjes fetare.
Në thelb, kjo nuk mund të shihet si një seri “incidentesh” të shkëputura. Ajo që po dëshmojmë sot në shekullin e 21-të, është një shpërbërje e paprecedentë globale e qytetarisë fetare, një botë ku politika shumë shpesh e armëzon fenë dhe ku vëllezërit dhe motrat në besim ndiejnë thumbin e përjashtimit, në vend të përqafimit të një shoqërie pluraliste.
Nuk duhet të jemi relativistë ndaj intolerancës. Rreziqet me të cilat përballet një komunitet, qoftë hebraik, mysliman, i krishterë apo ndonjë tjetër, sinjalizojnë një krizë për të gjithë ata që e çmojnë lirinë e besimit.
Aty ku antisemitizmi lulëzon, shenjtëria e ndërgjegjes për të gjitha fetë zbehet. Aty ku islamofobia normalizohet, indi moral që mban shoqërinë të bashkuar dobësohet. Aty ku të krishterët vritem e shtyhen në ilegalitet, vetë premtimi i të drejtave të njeriut lëkundet.
Detyra jonë, si qenie njerëzore, është të riafirmojmë parimin themelor se asnjë fe nuk duhet të jetë një barrë në hapësirën qytetare. Ne duhet të mbrojmë lirinë fetare jo si një relike sektare, por si një të drejtë thelbësore njerëzore.
Vetëm duke u përballur me urrejtjen në të gjitha format e saj, qoftë antisemitizëm, islamofobi apo persekutim ndaj të krishterëve, mund të shpresojmë të rivendosim një kulturë të respektit të ndërsjellë. Njerëzimi nuk meriton asgjë më pak se sa harmoni, paqje dhe tolerancë.





