Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e sotme plenare hodhi akuza ndaj organeve të reja të drejtësisë të cilat sipas tij vijojnë të pranojnë ndërhyrjet politike në marrjen e vendimeve.

I ashpër në deklaratat e tij, Bardhi tha se drejtësia pret sinjale nga kryeministri Rama për të vijuar arrestimin e zyrtarëve të lartë.

Bardhi po ashtu komentoi edhe emërimin e katër familjarëve të deputetes së PS-së, Ermonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës, ku tha se ende kemi një drejtësi me mik dhe shokë.

“Ne vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, vazhdojmë të kemi drejtësinë që pranon ndërhyrjet politike, vazhdojmë të kemi drejtësinë që ende nuk ka gjetur kurajon të ngre kokën përpara cilido.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të mbuluar lirimin e paligjshëm të Saimir Tahirit, shpall në media pa ndodhur ende arrestimin e Vangjush Dakos.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar Arben Ahmetajn, pret sinjale publike nëpër studio nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ai jep sinjale se e ka lëshuar, prokurorët marrin kurajon jo vetëm ta hetojnë, por mundësisht edhe ta denigrojnë.

Në vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar e arrestuar një politikan të lart me pasuri e para të gjetura tashmë prej kohësh jashtë vendit, po pret sinjale se kur arrestimi i tij do i shërbejë Kryeministrit për të mbuluar ndonjë skandal qeveritar.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë i lejon vetes të shndërrojë në familje një prokurori të tërë dhe brenda një viti të emërojë aty jo dy, por plot 4 persona brenda një familje. Asnjë reagim për këtë, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën këmbët e Kryeministrit, pret ti shkojë në sallë Ambasadorja Amerikane që të mos emërojë drejtues të SPAK një të preferuar të Edi Ramës, por dikë tjetër që ishte i vetmi që nuk pranoi ti shkojë si vartës Kryeministrit në zyre, kur ky i fundit tentoi të hapte konkursin kryeministror për të përzgjedhur ai vetë drejtuesin e SPAK.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Prokurori i Përgjithshëm merr bekimin e mazhorancës në këtë sallë, vetëm pasi provon se është besnik i familjes kryeministrore dhe hedh në erë një dosje të tërë, duke vecuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht cdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i cështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjec me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM”.

Ne vazhdojmë për të fat të keq të kemi një drejtësi ku Gjykata Kushtetutese, pasi merr në punë në të njëjtin pozicion drejtoren e kabintetit të Elisës, ka një standart për bordin e ushqimeve dhe një standart për bordin e karburanteve, edhe pse janë identike, me dallimin e vetëm që për të dytin Kryeministri ka interes të drejtpërdrejtë.

Sa kohë ju në këtë sallë i mbushët institucionet e reja të drejtësisë me miqtë e shokë tuaj, dhe ato vazhdojnë edhe në detyrë të sillen si miqtë dhe shokët tuaj, qytetarët do presin kot drejtësi. Ajo do jetë drejtësia juaj, por jo drejtësia që prisnin qytetarët. Ajo do jetë drejtësia e Kryeministrit, por jo drejtësia e qytetarit të zakonshëm. Ne do vazhdojmë me rekomandime, ato do vazhdojnë me qoka e ndere”-tha Bardhi.