Jashtë studios së “Opinion”, gazetari dhe moderatori Blendi Fevziu ka një jetë familjare, momentet më të bukura të së cilës i ndan shpesh edhe me miqtë e tij në rrjetet sociale. Fotot dhe videot nga fundjavat me vajzën e vogël Alis, janë bërë tashmë të zakonshme për të gjithë në profilet e tij.
Por nuk është e lehtë ta menaxhosh kohën mes profesionit që të merr pjesën më të madhe të ditës dhe familjes, e cila, po ashtu kërkon vëmendje. Në një intervistë të fundit për “Prive”, Blendi Fevziu ka rrëfyer ndër të tjera edhe për familjen dhe dy vajzat e tij, me të cilat, më vete, ka një marrëdhënie të veçantë.
“Vajza e vogël është akoma shumë e vogël, vetëm një vjeç e gjysmë. Tani është në fazën që thotë fjalët e para, më ndjek mua nga mbrapa, është e impresionuar nga bota e kafshëve që jetojnë rreth e rrotull kodrave ku banojmë ne. Bota për të është e bukur me dy prindër që i rrinë te koka. Ndërsa me vajzën e madhe kam zbuluar vitet e fundit udhëtimet e gjata”, – tregon Blendi për marrëdhënien me të bijat.
Por nëse familjes do t’i shtohet një anëtar tjetër, Blendi pohon: “Nuk e di, çdo fëmijë është gjithmonë i mirëseardhur. Unë them që nuk ka bekim më të madh për një shtëpi, për një familje sesa fëmija. Dhe praktikisht, kurdo që një familje shtohet me një fëmijë, kushdo familje, ndjej një lloj kënaqësie, edhe për miq të mi. Kështu që çdo herë që një fëmijë mund të vijë në familje, është i mirëpritur.”
I pyetur edhe për marrëdhënien me Inesin, prej 19-vjetësh tashmë, Blendi tregon se ka një raport të konsoliduar. Edhe asaj, si edhe të bijave, i kushton kohën e domosdoshme: “Raporti në çift nuk është i lehtë për askënd, jo vetëm për figurat publike. Duket sikur figurat publike janë më të evidentuara përballë mediave ose përballë opinionit, por për të gjithë është i vështirë. Por për mua nuk ka pasur ndonjë problem thelbësor ky raport. Por çdo fundjavë jemi bashkë, edhe kur udhëtojmë, edhe në dreka e darka jemi bashkë. Rrallë mund të më gjesh në darka me shokë ose vetëm me burra, jam gjithmonë i shoqëruar.”