800 zogj dekorativë të 150 llojeve të ndryshme u ekspozuan ditën e sotme në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Për dy ditë me radhë, të shtunën dhe të dielën, me qindra kanarina, gardelina dhe papagaj  që marrin pjesë në edicionin e pestë të Festivalit të Zogjve, të organizuar nga  Federata Shqiptare e Ornitologëve do të mund të vizitohen nga kureshtarët dhe do të vlerësohen nga juria profesioniste.

“Kemi kanarina nga të paktën 55 shtete. Kanarinat janë të formës, pozicionit, ngjyrës dhe këngës, që është një padilion më vete. Zogjtë pjesëmarrës duhet të kenë pa diskutim unazën e shtetit që përfaqëson”,– thotë për “DurrësLajm”, Eduart Cara nga Federata Shqiptare e Ornitologëve.

Mbarështues nga 5 vende si Shqipëria, Italia, Greqia, Kosova dhe Maqedonia do të konkurojnë me arritjet e tyre sipas standarteve ndërkombëtare në këtë sport të veçantë. Gjyqtari italian Sergio Palma na rrëfen më shumë mbi historikun e përhapjes së kanarinave në Evropë, shekuj më parë.

“Për të qenë mbarështues kanarinash nuk duhet të kesh vetëm një zog, që e fut në kafaz. Kanarinat mbarështohen për formën, pozicionin dhe ngjyrën. Këto zogj janë futur në kafaz që në vitet 1400, kur një anije e Kristofor Kolombit që vinte nga ishujt Kanarie u mbyt në afërsi të brigjeve italiane. Nga këtu nisi shpërndarja e kanarinave nëpër botë, pasi më parë dërgoheshin vetëm në Spanjë, sepse mbretëresha Izabela ishte adhuruese e tyre”.

Papagalli Ares është vetëm 5 muajsh. Ai nuk konkuron në këtë festival, por Ares shkon kudo ku shkon Fatjon Hoxha, sekretari i Federatës Shqiptare të Ornitologëve. Fatjoni e ka marrë që kur Ares ishte disa ditësh dhe po e trajnon për fluturimet e lira.

“Eshtë nga papagajtë më të mirë për fluturimin e lirë. Pjesa më e vështirë për mbarështimin e këtij lloji është sepse nuk kemi pajisje. Këta zogj kanë nevojë për GPS, për ambiente të posaçme të rrethuara, ku të mos ketë njerëz, të mos ketë zhurma. Na duhet të largohemi me mjetet tona në periferi për ambiente të qeta ku mund t’i trajnojmë”,- thotë ai.

Këto zogj që mbarështohen nga 45 anëtarë të Federatës së Ornitologëve rriten në kushte të sigurta, por apeli i federatës shkon për kapjen dhe shitjen ilegale që u bëhet këtyre zogjve nën hundën e autoriteteve.

“Eshtë një plagë e madhe sot në Shqipëri kapja e gardelinave të egra. Sot, po të largohemi pak më tutje, në tregun privat ka njerëz që shesin gardelina të kapura për 2000 lekë të vjetra. Organet policore dhe ato kompetente nuk ngrenë as gishtin për t’i ndaluar. Zëri jonë vazhdon të ngrihet, por mbetet një zë në bie në vesh të shurdhët”,– thotë Cara.

Hyrja për publikun, për të ndjekur nga afër Festivalin e Zogjve, është e lirë nga ora 9.00 deri 18.00. Në përfundim të festivalit, ditën e dielë juria do të përzgjedhë zogjtë fitues për secilën kategori.

M.B.