Ministritë e Kulturës së Tiranës dhe Kremlinit, në bashkëpunim me një kompani franceze, financojnë kinoprodhimin për fatin e grave ruse gjatë dikataturës komuniste

MOSKË, 28 korrik 2013 – Ministritë shqiptare dhe ruse të Kulturës, në bashkëpunim me një kompani franceze, japin para për të demaskuar Enver Hoxhën që nuk pranoi t’i nënshtrohej Kremlinit ose “Romës së Tretë”. Shtysën për filmin e ka dhënë një tregim i Ismail Kadaresë. Skenaristi i njohur rus Juri Arabov (në foto) debuton si regjisor me filmin “Gra ruse”, kushtuar Shqipërisë së viteve 1960 dhe fatit tragjik të grave ruse, të cilët ishin viktimat e para të regjimit të sundimtarit shqiptar Enver Hoxha. Projekti për filmin u paraqit në një konkurrim të hapur në Ministrinë e Kulturës së Federatës Ruse, njoftonte më 24 korrik 2013 agjencia ruse e lajmeve RIA “Novosti”.

“Ky projekt ka nisur prej 4 vjet e gjysmë. U krijua me nismën e një kompanie franceze, dhe me mbështetjen e Ministrisë shqiptare të Kulturës. Me sa duket ata erdhën rastësisht me internet tek unë. Kurrë nuk kam qenë në Shqipëri, shkova atje. Dhe ajo çka pashë, më la përshtypje. Ashtu si dhe më parë njerëzit pëshpëritin kur flasin për tiranin që asgjësoi dhjetëra e mijëra shqiptarë” – tregoi 59-vjeçari Arabovi. Filmi do të bëjë fjalë mbi represionet ndaj grave ruse (kryesisht, filologe), që u martuan me shqiptarë. “Ja këto ruse të përsosura, nga të cilat po shpërndahet ende dritë nëpër këtë vend, kujtohen me një ndjenjë adhurimi. Deri në ditët tona është ruajtur kujtimi për to”, – vuri në dukje Arabovi, duke theksuar se “gjithsesi do të jetë një film për diktaturën, e cila merr fund gjithmonë, dhe fill pas saj vjen ajo që vjen”. Fillimisht u planifikua që Arabovi vetëm sa të shkruante skenarin. Por “regjisori që duhej ta xhironte, shkoi në një projekt tjetër. Tani unë vet jam i gatshëm plotësisht të përgjigjem për këtë. Rashë dakord për këtë me mbështetjen e regjisorit, skenaristit, artistit të popullit Aleksandër Sokurov. Nëse unë do t’i futem këtij projekti, Sokurovi do t’i vejë shpatullat dhe do ta çojë deri në fund të gjithë historinë”,- tha Arabovi. Sokurovi do të do të jetë udhëheqës artistik i filmit. Buxheti i përgjithshëm i filmit arrin në 45 milionë rubla.

Info

Juri Arabov lindi në vitin 1954. Romancier, poet, skenarist sovjetik dhe rus, artist i merituar i Rusisë. Bashkë-skenarist i filmit mbi Josif Brodskin  “Një dhomë e gjysmë, ose udhëtim Sentimental në atdhe” (Polltori komnati, ili Sentimentalnoje puteshestvije na rodinu), autor i skenarëve për filmat “Dita e Shën Gjergjit” (Jurjev Djenj), “Habia” (Çudo), “Fausti” (Faust), “Hordhia” (Orda) dhe shumë të tjerëve. Bashkautor i përhershëm i Aleksandër Sokurovit, skenarist i më se dhjetë filmave të tij. Autor i disa romaneve. Fitues i çmimit në Festivalin e Filmit të Kanës për skenarin e filmit “Moloku” (Mollokh) në vitin 1999.

 

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/