Vazhdon ose jo, kjo është motoja e Europianit në këto momente, pasi faza e eksperimenteve ka përfunduar. Pasditen e kësaj të hëne, në orën 18:00 në Saint Denis, Italia do të përballet me Spanjën kampione në fuqi të Europës, ndërsa fituesi i këtij çifti do të vihet më pas përballë Gjermanisë në çerekfinale.
Antonio Conte ka menduar të zbresë në fushë një formacion 3-5-2, me Florenzin në vendin e të dëmtuarit Candreva, ndërsa balotazhi i vetëm mesa duket është në krahun e majtë, mes Darmian dhe De Sciglios.
Mëngjesi i sotëm në Paris, ku edhe do të luhet ndeshja, ka filluar me reshje të shumta ndërsa moti pritet të jetë kështu deri në orarin e takimit. Sa u përket statistikave, Italia ka mundur Spanjën për herë të fundit në një veprimtari zyrtare në Botërorin “USA ’94”.
Ndërkohë, në orën 21:00 të mbrëmjes, Anglia do të përballet me debutuesit e Islandës. Kjo do të jetë përballja e tretë mes këtyre dy përfaqësueseve. Anglia nuk ka asnjë humbje në këto sfida, pasi 1-1 ka përfunduar ndeshja e parë mes tyre në vitin 1982, kurse ndeshjen e dytë të zhvilluar në qershor të vitit 2004 “Tre luanët” e kanë fituar 6-1.
Gjithashtu vlen për t’u përmendur se Anglia nuk ka asnjë humbje në 10 ndeshjet e fundit të luajtura në kampionatet europiane. Disfata e fundit është ajo me Francën, më 13 qershor të vitit 2004.





