Kuptimi i vërtetë i futbollit, i atij të vërtetit, larg biznesit, marketingut, racizmit, episodeve të dhunshme është përmbledhur në një fotografi të mrekullueshme bardhë e zi, e cila vjen nga Spanja.
Është rasti tipik i shprehjes “Një foto vlen më shumë se një mijë fjalë”.
Që futbolli në fund të fundit është vetëm një lojë, na e tregon një fëmijë pesë vjeçar i cili quhet Alejandro Rodriguez Macias.
I vogli i cili luan për Union Vera – një klub në Las Palmas de Gran Canaria –, iu desh të bënte pajtuesin mes arbitrit të takimit dhe trajnerit të skuadrës kundërshtare.
Dy të rriturit janë përballë njëri-tjetrit teksa diskutojnë me tone të ndezura, pavarësisht se bëhej fjalë për një ndeshje mes futbollistësh të vegjël.
Alejandro-ja i vogël, është vënë mes tyre duke ngritur krahët për t’i ndarë.
Një gjest i paharrueshëm i cili është fotografuar nga Ruben Lopez Estupiñán, një prind në tribunë.
Menjëherë fotografia ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave spanjolle.





