Një fundjavë plot të qeshura premtohet në Durrës pasi në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të vihet komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” e autorit grek, Jorgos Theodosiadis.
Në datat 1, 2 dhe 3 nëntor në orën 19:00, durrsakët kanë mundësi të argëtohen me humorin e aktorëve Romir Zalla, Ervin Bejleri, Alert Çeloaliaj dhe Jorida Meta, në komedinë me regji të Donard Hasanit & Valdrin Hasanit, e sjellë në skenën shqiptare nga producentja Shegushe Bebeti.
“Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, s’është thjesht vetëm një komedi që të bën të kënaqesh së qeshur me humorin fin, por sepse përtej kësaj mbartet edhe drama e brendshme e çdonjërit prej personave me aftësi ndryshe, edhe përpjekja e tyre për të jetuar, dashuruar, punuar normalisht si të tjerët, edhe mesazhet e forta sensibilizuese ndaj shoqërisë që duhet ta mbështesë e ta konsiderojë këtë kategori, në bashkëjetëse normale me ta.
Është një miks ndjesish e mendimesh që të ndjell kjo vepër, absurditeti që nxit dialogje e lojë skenike shumë interesante, që shkakton batuta e të qeshura pafund. Spitha (Ervin Bejleri) djali që nuk flet është poet dhe punon në bibliotekë.
Jakovi (Romir Zalla) që nuk dëgjon është një kuzhinier i jashtëzakonshëm dhe ka një restorant të tijin, ndërsa Theofani (Alert Çeloaliaj) që nuk sheh, punon në një callcenter.
Ata janë të sukseshëm në punët e tyre, bashkëjetojnë në një apartament duke u kuptuar shumë mirë me njëri- tjetrin. Jeta u shkon normalisht derisa në rutinën e tyre hyn një grua e bukur, Elpidha(Jorida Meta).
Ata dashurohen pas saj, pa e ditur se po marrosen pas të njëjtës grua. Normaliteti në atë shtëpi tronditet pikërisht në momentin kur ajo hyn aty e ata përballen me këtë të vërtetë.
Nëpërmjet peripecive komike, ata përmbledhin dhe plotësojnë aftësitë e njëri- tjetrit, duke u përpjekur secili që ta bëjë atë grua për vete. Pra duke plotësuar njëri- tjetrin ata mund të përjetojnë emocione të mëdha, të jetojnë si të mos kishin asnjë aftësi ndryshe.
Ata pra mund të jetojnë si gjithë të tjerët. Duke e bërë dhe publikun të jetojë qoftë edhe për pak momente me ankthin, gëzimin, dëshirat e pasionet e tyre.