Pasi u shpall “Aktorja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit "Othello", që u zhvillua në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, Olta Daku do të interpretojë për publikun durrsak, këtë fundjavë, një nga shfaqjet e saj më të mira.
Komedia “Shirli Valentina” vjen në qytetin bregdetar, në datat 23 dhe 24 nëntor, në orën 19.00, për t’i dhuruar sërish emocione artdashësve durrsakë për të tretin vit rradhazi.
Binomi aktor-regjisor, Olta Daku & Driada Dervishi, premtojnë dy netë plot të qeshura në teatrin “Aleksandër Moisiu”, me një komedi që pritet ta mbushë sërish sallën ashtu siç ka ndodhur përgjatë këtij sezoni të ri artistik në Durrës që hapi siparin pikërisht me komedinë “Revizori”, me regji të Dervishit.
Për të gjithë ata që duan të ndjekin nga afër interpretimin e shkëlqyer të një prej aktoreve më të mira shqiptare, shitja e biletave për shfaqjen bëhet çdo ditë nga ora 9.00- 13.00 dhe 16.00- 19.00. Për rezervime telefononi në nr: 0675488266.