Partia Lëvizja BASHKË ka çelur pasditen e djeshme selinë e saj në qytetin e Durrësit. Kjo seli u hap nga anëtarësia e kësaj partie që punojnë dhe jetojnë në Durrës.
Të pranishëm ishin dhjetra anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të kësaj lëvizje. Po ashtu edhe kryetari i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori në fjalën e tij theksoi se ky është një hap i rëndësishëm si për partinë ashtu edhe për qytetin e Durrësit, duke nënvizuar se ky qytet prej kohësh është lënë pas dore, edhe pse ka një rëndësi të veçantë në jetën ekonomike dhe politike të vendit tonë.
Fjalën e mbajti dhe Sekretarja Organizative e Lëvizjes BASHKË, Mirela Ruko, e cila përshëndeti dhe përgëzoi anëtarët dhe mbështetësit e Durrësit për këtë hap të rëndësishëm të organizimit të anëtarësisë në këtë qytet.
I pranishëm ishte dhe petagogu dhe urbanisti, Artan Kacani, njëkohësisht aktivist i Lëvizjes BASHKË, i cili u shpreh se kjo seli u hap falë kontributeve të anëtarëve të Durrësit.
Në ambientet modeste të kësaj selie u theksua nevoja për perspektivë, organizim dhe shpresë të re për Durrësin dhe Shqipërinë.
Kujtojmë se kjo është selia e dytë e partisë Lëvizja BASHKË, pasi zyra qëndrore ndodhet në Tiranë.