Ekipet e Superiores këtë javë nisën rrugëtimin e tyre në Champions dhe Conference League. Egnatia, Partizani, Tirana dhe Vllazniz zbritën në fushë, teksa asnjëra prej tyre nuk ia doli të siguronte fitoren. Rrogozhinasit u mposhtën nga Borac Banja Luka në transfertë, ndërsa dy ekipet kryeqytetase dhe shkodranët nuk shkuan më shumë se barazimi.
Pavarësisht se nuk u sigurua asnjë fitore, sërish Shqipëria ka fituar pozicione në renditje e UEFAs. Këto rezultate, i kanë siguruar Shqipërisë 0,375 pikë në koeficientin europian dhe kanë bërë të mundur që kampionati shqiptar, për momentin të fitojë një vend në klasifikimin e UEFA-s.
Shqipëria aktualisht është në vendin e 44-t, pasi kaloi Irlandën e Veriut e cila nuk kishte siguruar asnjë pikë nga ndeshjet e luajtura këtë mesjavë, meqë të gjitha ekipet e saj pësuan humbje. Për të llogaritur pikët e koeficientit kombëtar, vlerësohet me 1 pikë fitorja dhe me 0,5 pikë barazimi. Më pas pikët e fituara në çdo javë nga ekipet, përpjesëtohen me numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kompeticione nga vendi në fjalë.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka 0,375 pikë nga 3 barazimet që siguruan skuadrat e saj këtë mesjavë. Kujtojmë se renditja në një pozicion më të mirë në këtë klasifikim, bën të mundur që të ketë zhvendosja skuadrash nga Conference League dhe Europa, si në rastin e Kosovës, apo edhe kalimin në raundin e tjera të eliminatoreve.