Itali, 22 qershor 2014 – Katër të rinj shqiptarë përfunduan në prangat e policisë italiane, pas një sherri që u mbyll me plagosjen e njërit prej tyre.

Të ndaluarit janë 4 të rinjtë E.K., 29 vjeç, B.K. 22 vjeç, A.M. 28 vjeç dhe L.T. 20 vjeç, me banim në Darfo, Brescia, në Itali.

Ata ishin duke qëndruar në një lokal në zonën e Darfos, kur, për shkaqe ende të panjohura, u përfshinë në një sherr të ashpër, gjatë të cilit B.K., plagosi me kaçavidë L.T., i cili si pasojë e plagëve të marra u dërgua në spital.

Pas sherrit, gjatë kontrollit në banesat e shqiptarëve, u zbulua kokainë dhe marijuanë, në doza gati për shitje, si dhe katër peshore farmaceutike.

Dyshimet e para të policisë janë se shqiptarët janë konfliktuar për prishje të pazareve të drogës, ndërsa vijojnë hetimet për sqarimin e detajeve të konfliktit.

Ndërkohë nga verifikimet rezultoi se 28 vjeçari A.M., qëndronte në Itali në mënyrë ilegale dhe për të policia nisi menëjherë procedurat për rikthimin e tij në Shqipëri.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/