Dita e dytë e edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Tiranë ka rezervuar një surprizë vërtet interesante. Autori i librit “Sarah”, Alfred Peza në bashkëpunim me botuesin dhe “UET Press”, kanë vendosur që t’ia dhurojnë romanin “Sarah” kujtdo fëmije, vajze apo gruaje shqiptare, që mban emrin e personazhit të këtij libri. Iniciativa ka ardhur pasi sot në stendën e shtëpisë botuese, është paraqitur një blerëse e pazakontë, e cila mbante emrin SARAH. Dedikimi i lëshuar për të në foto:
Por surpriza nuk mbaron me kaq. Nisur nga historia e Sarah Blloshmit, libri dhuratë do të shoqërohet edhe me një shkrim dedikuar secilës prej Sarah-ve të sotme, që do të botohen në mediat online dhe në gazetat e përditëshme. Secila prej tyre mund të tregojë jo vetëm historinë e vendosjes së këtij emri, por edhe historinë e jetës së vet, shkruan sot gazeta “Mapo”.
Nëse kjo iniciativë përqafohet nga shumë Sarah, atëherë shtëpia botuese premton një surprizë edhe më të veçantë: Botimin e një libri të ri, me historitë reale të rrëfyera nga Sarah-t e ditëve tona, e cila mund të shitet së bashku me “Sarah”-n e Alfred Pezës.