Në datë 12 prill, “E enjtja muzikore”, aktiviteti i përjavshëm artistik i nxënësve të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” do të ketë një surprizë të veçantë. Instrumentistët e rinj të kësaj shkolle do të interpretojnë për herë të parë nën dirigjimin e një artisti të huaj belg Daniel Glineur. Duke nisur nga mesi i muajit shkurt, nxënësit, mësuesit dhe drejtoria e kësaj shkolle në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e pallatit të kulturës, Bashkim Hoxha, rikthyen pas rreth 20 vitesh një traditë të bukur artistike të Durrësit, atë të mbrëmjeve muzikore.

Nxënësit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” dhe mësuesit e tyre tentuan me këtë aktivitet të plotësojnë atë vakuum, që krijon mungesa e koncerteve apo mbrëmjeve me muzikë klasike në qytetin tonë. Drejtoresha e kësaj shkolle, Nevila Kalaja, shprehet mjaft e kënaqur me mundësinë që ju krijua nxënësve për të interpretuar para shokëve, prindërve, mësuesve të tyre dhe publikut, në të njëjtën kohë ajo i kushton rëndësi eksperiencës së përfituar prej tyre në lojën në kuartete apo kuintete. E

dhe pse nxënësit nuk janë perfeksionuar ende plotësisht ajo që është më e rëndësishme për këta fëmijë e të rinj që po hedhin hapat e para në rrugën e artit është përballja e tyre me publikun. Vlen të theksohet se pjesëmarrës në aktivitetin “E enjtja muzikore” ishin nxënës të të tre niveleve të kësaj shkolle duke filluar nga cikli i ulët, ai 9-vjeçar për të mbaruar tek ai i mesëm. Duke u ndalur tek e enjtja e 12 prill, Kalaja e sheh atë si një arritje të rëndësishme,- “pasi instrumentisti belg vjen në Shqipëri për të marrë pjesë në konkursin “Pjetër Gaci”.

Ai është një instrumentist i talentuar dhe është shprehur mjaft entuziast për të bashkëpunuar me shkollën në një koncert simfonik”. Në të njëjtën kohë ajo thekson se nxënësit janë të emocionuar pasi për ta është eksperiencë e re luajtja në një orkestër që dirigjohet nga një i huaj. Rigjallërimi i aktiviteteve shkollore dhe shtimi i tyre në numër janë një nga objektivat që i ka vënë vetes Kalaja së bashku me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, sepse në këtë mënyrë talentet e reja durrsake evidentohen edhe më qartë në sytë e publikut dhe artdashësve.

Në një kohë kur “E enjtja muzikore” po shkon drejt fundit, pasi nxënësit në fund të muajit prill nisin sezonin e provimeve, duket se rikthimi i traditës e ka kryer më së miri misionin e tij. Kalaja thotë se ka kontaktuar me shumë instrumentistë nga qytete të ndryshme të vendit që kanë shprehur interesin të marrin pjesë në këtë aktivitet. Ndërsa pritet ende të diskutohen detajet teknike, drejtoresha thotë se nuk do të jetë çudi që gjatë muajit maj të kemi sërish “Të enjte muzikore”, por këtë herë me instrumentistë profesionistë.

Nëse do të ndodhë kjo gjë, atëherë “E enjtja muzikore” do të rikthehet edhe njëherë në formatin e saj të parë, atëherë kur instrumentistë profesionistë nga të gjitha rrethet e vendit vinin të merrnin pjesë në këtë aktivitet artistik. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se shpeshherë ata shoqëroheshin edhe nga instrumentistë të huaj.