Banorët e Rrjollit e spostuan sot protestën në mbrojtje të pronës së tyre para dyerve të Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion.

Protestës “Mbrojmë pronën tonë” iu bashkuan edhe qytetarë nga Durrësi, të cilët prej muajsh protestojnë kundër projektit TID, që synon rijetëzimin e zonës historike të qytetit.

I riu Artion Barjamaj, më 7 mars, ishte në Rrjoll së bashku me përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe forcave politike në mbështetje të banorëve, të cilëve po u merret prona për të ndërtuar një resort. Edhe paraditen e sotme, ai u rreshtua në krah të banorëve dhe protestuesve para SPAK-ut.

Në një prononcim për “DurrësLajm”, Barjamaj shpjegoi se në protestat e banorëve që preken nga projekti TID, por edhe ato të Rrjollit është në cilësinë e një aktivisti dhe jo si i ri i angazhuar politikisht.

“Kur preket prona, kur preket dinjiteti i një shqiptari kudo qoftë, qoftë në Rrjoll, qoftë në Dukat, qoftë në Theth, qoftë në Durrës ne si shqiptarë e kemi si detyrë, e kemi si përgjegjësi të ngrihemi dhe të reagojmë. Nuk është normale, që në mentalitetin tonë të reagojmë vetëm në momentet kur cënohemi individualisht. Normale është që kurdoherë kur cënohet diçka publike, diçka e një qytetari tjetër ne të ngrihemi dhe të reagojmë.kemi për detyrë dhe për përgjegjësi të ndihmojmë njëri tjetrin si komunitet shqiptar në raste nevoje”.

Sipas Barjamajt, pavarësisht se e njohur gjerësisht si zonë që mbështet Partinë Demokratike, lidershipi i PD-së nuk ka dalë në mbështetje të banorëve të Rrjollit dhe kjo e ka dëmtuar këtë forcë, duke i shkaktuar kosto politike.

Ai e cilësoi intrigë nga disa figura politike dhe oligarkë padrejtësitë që po i bëhen me pronat banorëve në Durrës, Rrjoll dhe qytete të tjera të Shqipërisë,

“Institucionet sot po përdoren për interesa të pak njerëzve. Në Rrjoll konkretisht po përdoren për interesa të një apo dy familjeve dhe interesa të një sipërmarrësi, ndërkohë që aty flitet për një projekt që është pak a shumë si projekti i portit të Durrësit. Po flasim për miliarda euro vlerë prone, vlerë trualli. Ajo që po ndodh sot është që pak individë krijojnë një intrigë për të përplasur shqiptarët me njëri-tjetrin. Disa janë përfaqësues institucionesh si Policia e Shtetit dhe pjesa tjetër janë plalët e prekura dhe çfarë ndodh. Përplaset shqiptari me shqiptarin, rrihet shqiptari me shqiptarin, bëhet gjak mes tyre, sepse mund të shkojë deri në vrasje. Gjendja është shumë kritike, shumë alarmante, palët janë shumë të acaruara. Vritet shqiptari me shqiptarin për çfarë, për të ndërtuar pasurinë në mënyrë të padrejtë vetëm pak individë”,- tha ndër të tjera Barjamaj.

Sipas tij, modeli qeverisës në vendin tonë po i ngjason gjithnjë e më shumë modeleve diktatoriale në botë si në Rusi, Iran etj.

M.B.