Një javë para konfliktit të dhunshëm ku anëtarët e familjes Rraja dhunuan banorët e Borizanës që protestuan për dëmtimin e shtëpive nga shpërthimet në gurore, një prej personave të shpallur në kërkim për ngjarjen, ka nisur biznesin në zonë.
Më 29 qershor 2023, Flamur Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, ka blerë kompaninë “INERT 07”, e cila ka për objekt prodhim tregtim, materiale inerte e ndertim parafabrikate, gur gelqeror, etj.
Flamur Rraja është bërë kështu administrator i subjektit deri në vitin 2028, pasi ka blerë 45.05% të kapitalit nga ortaku Lulzim Haka, 17.5% të kapitalit nga ortaku Luan Shehu dhe 37% të kapitalit nga aksionari Gani Farruku.
Më 6 korrik Flamur Rraja ishte mes personave që dhunuan në një lokal në Krujë, Bilbil e Jashar Majën pas protestave të këtyre të fundit për guroren e Përparim Rrajës, e cila sipas tyre dëmtonte banesat në Borizanë.
“Report Tv” ka zbardhur edhe dosjen e kompanisë ‘Delia Group’ e cila nga viti 2012, nuk ka paguar rregullisht detyrimet pranë AKB-së për të ushtruar veprimtarinë e gurores. Në mars 2018 Ministria e Energjisë inicoi heqjen e licencës ndaj saj pasi nuk kishte paguar garancinë për dëmin në natyrë, por leja ishte ende aktive deri më 8 korrik 2023.
Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.
Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.