Nga Andi Bushati
Disa diplomatë, OSBE-ja, shoqatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit dhe ato shqiptare të të drejtave të njeriut, po reken më kot të ngrejnë zërin, kundër ligjit drakonian që Edi Rama ka hartuar për mediat online.
Ky draft, i miratuar tashmë në Këshillin e Ministrave, parashikon gjoba marramendëse (mbi 8 mijë euro) që janë baraz me falimentimin e një mediaje me buxhet të ulët dhe me me financim fraxhil. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, në ligj i jepet e drejta AMA-s (autoriteti shqiptar i mediave), të urdhërojë heqjen e lajmeve, të marrë paratë e gjobave pa pasur ende një vendim gjykate, në emër të luftës ndaj lajmeve të pavërteta.
Kjo në fakt nuk është një lëvizje surprizuese e Edi Ramës për të kontrolluar dhe mediat e reja, kryesisht të drejtuara nga gazetarë, ashtu sikurse kontrollon katër- pesë pronarët e vetëm të TV-ve në vend.
Në vitin 2015, ai u tërhoq pas presionit të fortë ndërkombëtar nga ideja për të rikthyer dënimin e shpifjes nga Kodi Penal, i cili parashikonte burg për gazetarët. Pak më pas, ai hartoi një projekt ligj të ashpër për të përfshirë edhe aktivitetin mediatik në kuadër të tregëtisë së shitblerjeve online. Krahas sharjeve, fyerjeve dhe përbuzjes për gazetarët, ai shtoi, në mënyrë të fshehtë, në paketën fiskale fundvitin e shkuar, taksën mbi raklamën, vetëm për mediat online, duke e çuar nga zero (siç e kanë ende TV-të dhe gazetat) në 20%, për të alternuar masat represive me ato financiare.
Prej disa muajsh presioni është edhe më i madh. Përgjimet fundidit të botuara nga BILD, skandalet e tenderave me dokumenta fallco të zbuluara nga mediat, parlamenti i mbushur me karagjozët e një opozite fallco dhe organizimi i zgjedhjeve lokale monopartiake e kanë bërë edhe më akute shtypjen e çdo burimi informacioni të lirë dhe të pavarur.
Pikërisht, në këtë kuadër, pothuajse kanë përfunduar tratativat për të mbyllur emisionin “Të Paekspozuarit”, i cili vetëm sezonin e kaluar, transmetoi i pari përgjimet Dako – Avdylaj dhe tenderin e Unazës së re.
Presionit të butë nuk i ka shpëtuar as edhe një program shumë më neutral dhe i balancuar si “Opinion”. Vetë Edi Rama, shefi i tij i shtypit Endri Fuga dhe Engjëll Agaçi, kanë ushtruar presion gjatë një darke pas zgjedhjeve në restorant Padam, ndaj gazetarit Blendi Fevziu, duke i kërkuar më pak prezencë të opozitës, më pak jehonë për temat e saj dhe duke i kujtuar gjithashtu se kjo shkon në drejtim të kundërt me benefitet që mer pronari i televizionit.
Pikërisht, në këtë kuadër, u shpall dhe tentativa për të ringjallur paketën anti shpifje aq shumë të dashur nga Edi Rama, e cila kërkon të thajë edhe ato oaze të vogla lirie që lindën në peisazhin mediatik shqiptar vitet e fundit.
Ndaj kësaj tentative kanë ngritur menjëherë zërin, OSBE, Shoqatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe ndonjë diplomat i lartë europian.
Por, qasja e tyre, po aq sa është e dobët, po aq duket edhe naïve.
Pasi problemi që Shqipëria ka sot, nuk është ai i një lideri autoritar që kërkon të luftojë fyerjen dhe shpifjen përmes një pakete drakoniane dhe me masa që janë në kufijtë e ligjshmërisë.
Problemi real është se ne po rëshkasim drejt një regjimi diktatorial, me parlament njëngjyrësh dhe me zgjedhjet ku voton dhe fiton një parti e vetme.
Në një situatë të tillë, kur gjithçka po rokulliset drejt monizmit, është e pa imagjinueshme ecja paralel me një media të lirë dhe me një drejtësi të pavarur. E para është e dënuar të shkatërrojë edhe këto të fundit. Bota nuk njeh asnjë rast, kur pushteti personal, ndarja arbitrare e parave publike, grabitja e votave dhe e tenderave të kenë bashkëjetuar me një sistem drejtësie të ndershëm dhe me një media profesionale.
Prandaj, sado përkrahëse të duken, vërejtjet dhe protestat e mefshta që janë dëgjuar këto ditë kundër paketës “anti shpifje”, nuk përbëjnë një zgjidhje. Sepse, në situatën e re ku kemi mbëritur, në pyetje nuk është më dilema se si do zbutet dhuna e pushtetit ndaj medias së lirë, por nëse është e munduar të ekzistojë një e tillë, përkrah diktaturës që po tenton të instalohet.
Pikërisht për këtë, pa ndarë qëndrimin për qorsokakun drejt të cilit po e gremis vendin Rilindja, është donkishoteske të shpresosh se mund ta arrish kompromisin e një kohabitacioni paqësor mes saj edhe shtypit. /Lapsi.al