Deputetët maori kërcyen haka në parlamentin e Zelandës së Re dhe shkaktuan ndërprerjen e seancës.

Rrëmuja u shkaktua të enjten, kur ligjvënësit kërcyen hakën tradicionale në sallën plenare, duke e detyruar kryetarin e seancës ta pezullonte.

Vallëzimi filloi disa sekonda pas fjalimit të parë të deputetes maori Oriini Kaipara, e cila u zgjodh shtatorin e kaluar.

Fillimisht, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Gerry Brownlee, i vuri në rend deputetët maori, duke thënë:

“Jo, jo këtë. Më thatë se kjo nuk do të ndodhte”.

Kur apeli i tij ra në vesh të shurdhër, Brownlee njoftoi shtyrjen e seancës.

Vërehet se sipas rregullave të Parlamentit të Zelandës së Re, deputetët dhe anëtarët e partisë së tyre duhet të marrin leje përpara se të kërcejnë ose këndojnë në seancë plenare.

Kush është deputeti maori që shkaktoi trazirë?

Oriini Kaipara bëri histori në vitin 2021 kur u bë spikerja e parë e lajmeve me një tatuazh tradicional Maori në mjekër që prezantonte një emision lajmesh në kohën më të shikuar.

Gazetarja 41-vjeçare ka një “moko kauae” (tatuazhi tradicional në mjekër që bëjnë disa gra Maori) dhe prezantoi lajmet e orës 18:00 në Newshub Live të Zelandës së Re.

Sipas Daily Mail, nëna e katër fëmijëve nga Auckland zbuloi se ishte 100% Maori pas një testi ADN-je që bëri në vitin 2017. Prezantuesja vendosi të bënte tatuazhin tradicional në vitin 2019, si pjesë e një procesi të quajtur “Ta moko”, i cili përfshin modifikime të përhershme në trup që pasqyrojnë atë trashëgimi specifike kulturore.

Për gratë Maori, ky tatuazh tradicional i veçantë (i cili përdor mjete dhe teknika të ndryshme nga tatuazhet tona të njohura), është një lloj riti i rritjes dhe simbolizon transformimin.