Nga Klevi Elezi
Politika në këtë vend nuk është më një betejë idesh, por një ekspozitë e zgjatur mediokriteti. Klasa jonë politike nuk vuan nga mungesa e informacionit, vuan nga mungesa e vizionit. Dhe kur drejtimi i një vendi bie në duart e njerëzve pa drejtim, rezultati është ky që shohim sot: një shtet që endet, një shoqëri që lodhet dhe një e ardhme që shtyhet gjithmonë për nesër.
Mjafton të hedhësh sytë nga Kosova për të kuptuar sa poshtë kemi rënë. Një shtet i ri, i dalë nga lufta, ende në ndërtim, por me një orientim të qartë përpara. Nuk është perfekt, por ecën. Ka një ritëm, një frymë, një ambicie që nuk kërkon justifikime. Ndërsa këtu, në Shqipëria, vazhdojmë të rrotullohemi në vend, duke u mburrur me të shkuarën dhe duke harruar se e ardhmja nuk ndërtohet me kujtime.
Ne ende jetojmë me hijet e një sistemi që duhej të ishte varrosur prej kohësh. Mendësia komuniste nuk është thjesht histori por është ende aktive, e rrënjosur në mënyrën si bëhet politika, si merren vendimet, si trajtohet shteti si pronë dhe jo si përgjegjësi. Ata që duhet të kishin dalë nga skena, janë ende aty, duke mbajtur peng çdo përpjekje për ndryshim.
Dhe këtu nuk ka më vend për iluzione: askush nuk do vijë ta shpëtojë këtë vend. As historia, as fati, as Zoti. Një komb që pret shpëtim nga jashtë, në të vërtetë ka hequr dorë nga vetja.
Prandaj e vërteta është e thjeshtë dhe e ashpër: nëse ky vend do të ndryshojë, do të ndryshojë vetëm kur të refuzojë hapur mediokritetin që e drejton. Kur të mos pranojë më justifikime. Kur të kërkojë llogari, jo premtime.
Sepse demokracia nuk është një dekor për fjalime por është një betejë e përditshme që kërkon njerëz të fortë, të ditur dhe të ndershëm. Dhe mbi të gjitha, kërkon një popull që nuk pajtohet me më pak nga sa meriton.
Ndërkohë, Kosova vazhdon të ecë përpara. Dhe kjo nuk duhet thjesht të na bëjë xhelozë por duhet të na turpërojë dhe të na zgjojë.
Sepse nuk kemi mbetur pas nga fati. Kemi mbetur pas nga zgjedhjet.





