Një koncert homazh për të atin e tij, Gulielm Radoja, aktorin aq shumë të dashur për qytetarët durrsakë.
Red Radoja, një artist po ashtu performues, i dedikon të atit notat muzikore në një shfaqje , siç e quan ai “intime”, në ambientet e Odeonit “Nikolin Xhoja”, në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”, ditën e enjte të datës 5 maj.
Për “DurrësLajm“, Red ndan me ne detaje nga organizimi, ndërsa nuk nguron t’i përgjigjet edhe kureshtjes tonë se çfarë do të thotë të jesh djali i një aktori të madh.
Për çudi, Red rrëfen se për të ndonjëherë kanë qenë të bezdisshme ndalesat në rrugë nga simpatizantët e artit të babit të tij, por ato momente sot janë kthyer në kujtime të bukura.
Prej vitesh jeta e Red është e ndarë mes Shqipërisë dhe Francës. Ky i fundit një stacion që i ka dhënë hapsira krijimtarisë dhe talentit të tij. Ai ngurron të jap një mendim të përmbledhur për jetën kulturore në Shqipëri, por thekson se sakrificat e artistëve tanë duhen vlerësuar.
Për të, ardhja në Durrës i ngjan përherë një kthimi të vazhdueshëm në kohë, ndërsa për ne është e qartë edhe njëherë se sa artistë që na nderojnë kemi në botë.