Nga Henri Çili

Një seri reagimesh diplomatike mbrëmë lidhur me debatin për raportet pozitë-opozitë në KQZ, në fakt tregon një qasje shterpë mbi të cilën kancelari të ndryshme diplomatike, madje edhe ndonjëherë nivele të caktuara të Komisionit Europian, i referohen situatës politike apo aq më pak dinamikës së saj të vrullshme në Shqipëri.

Të thuash që “institucionet janë të pavarura” nuk ke thënë asgjë, sepse për këtë të gjithë janë dakord, ndërkohë që lind nevoja për një reflektim të situatës së re parazgjedhore në Shqipëri, pas kalimit të LSI-së nga koalicioni qeveritar në koalicionin opozitar. Ka së paku tri argumente pse KQZ-ja duhet të riformatohet në ndarjen pozitë-opozitë dhe kjo jodomosdoshmërisht duke hequr një anëtar të KQZ-së nga LSI-ja, por duke e kualifikuar këtë anëtar të LSI-së aty ku i takon tashmë në krahun opozitar. Qeveria ka të drejtë të marrë kuotën e saj që i takon sipas ligjit dhe frymës së ndërtimit të këtij institucioni, dhe po ashtu LSI-ja, tashmë si partia e dytë opozitare ka të drejtë të përfaqësohet në KQZ brenda kuotave që i takojnë opozitës në këtë institucion. Kjo është pamja e plotë e këtij problemi dhe askush nuk mund të fshihet si struci rreth të vërtetës lidhur me këtë institucion. Qoftë ky dhe Piter Stano, nëpunës në Bruksel dhe cilado kancelari diplomatike e aleatëve.

Argumenti i parë është se KQZ dhe i tërë sistemi administrues zgjedhor në këtë vend, prej vitit 2003 është ngritur mbi parimin e balancimit politik, nga KQZ e deri në njësinë më të vogël zgjedhore poshtë në bazë apo siç quhet ndryshe “përfaqësimi proporcional”. Po ashtu për vendime të rëndësishme, KQZ është e detyruar që disa prej tyre t’i marrë me shumicë të kushtëzuar, pra 5 me 2, duke i detyruar palët që të merren vesh me patjetër sepse asnjë palë nuk ka 5 vota. Kurse Kolegji Zgjedhor është ndërtuar mbi një logjikë krejt të kundërt, atë të pavarësisë, shortit – pra rastësisë nga trupa e gjyqtarëve të gjykatave të nivelit të dytë. Bota ka dhe administrim zgjedhor të pavarur, nga administratë publike etj., por palët kanë zgjedhur që ende nuk është koha për këtë në Shqipëri, ndaj parimi i balancimit politik është gjetur si i vetmi që mund të aplikohet për këtë fazë të ndërtimit të demokracisë shqiptare.

Ky parim është shprehur në marrëveshje politike, në frymën e Kodit Zgjedhor, në germën e tij apo tashmë në precedentët zgjedhorë në këtë vend. Mirë, keq, me demokratë a me socialistë në pushtet, kjo ka siguruar të paktën vendimmarrje për zgjedhjet dhe ka siguruar të paktën zgjedhje të “pranueshme”. Pavarësia, ka kuptim si parim për drejtësinë, nuk ka kuptim për institucionet administruese të zgjedhjeve që për momentin janë ndërtuar mbi parimin e balancimit dhe të ndërkushtëzimit të palëve. Të flasësh “për pavarësinë e KQZ-së” do të thotë të bësh një debat shterpë sot.

Argumenti i dytë pse duhet reflektuar në KQZ ekuilibri i ri politik, është rreziku që sikur dhe PBDNJ të qëndronte në kampin opozitar, do të kishim praktikisht një KQZ me shumicë anëtarësh të propozuar apo të mbështetur nga partitë opozitare, çka rrezikon ta fusë këtë institucion nën kontrollin e opozitës dhe kjo është në njëfarë mënyre uzurpim i këtij institucioni nga opozita. Kjo nuk ka asnjë kuptim dhe zhduk sensin e përgjegjësisë mbi zgjedhjet, një temë që dhe vetë opozita e ka për zemër “zgjedhjet janë përgjegjësi e qeverisë”. Ky do të ishte një deformim i karakterit të republikës sonë dhe për më tepër në pikën më delikate të tij, në çështjen e zgjedhjeve.

Argumenti i tretë pse qeveria dhe partitë e shumicës qeverisëse duhet të kenë shumicën në KQZ, dhe po ashtu LSI-ja të marrë anëtarin që i takon, por nga kuotat e opozitës sepse është partia e dytë më e madhe në koalicionin qeveritar, është fakti që Ilirjan Muho është votuar si anëtar i KQZ-së me votat e shumicës aktuale parlamentare. Ai duhet rivotuar si anëtar, apo një tjetër në vend të tij, nga votat dhe kuotat e opozitës.

Veta Meta gjatë legjitimimit të lëvizjes së tij të fundit politike ka shprehur një term politik, të një rëndësie të veçantë lidhur me mundësinë e një qeverie teknike deri në zgjedhje se “qeveritë ndërrohen me votë popullore e jo parlamentare”. Nëse sot ka kritikë që thonë se qeveria me anë të “shumicës në KQZ” ka vjedhur zgjedhjet në Shqipëri, atëherë rrezikohet të shkohet për simetri tek pohimi që “opozita me shumicë në KQZ” rrezik vjedh zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo parodi nuk mund të zgjasë dhe të ndodhë. Karakteri i balancuar i KQZ duhet të reflektohet në çdo moment. Ndryshe kemi uzurpim. Nuk ka rëndësi nëse këtë e bën qeveria apo opozita. Është uzurpim.

http://www.mapo.al/2013/04/12/nje-kqz-e-kontrolluar-nga-opozita-eshte-uzurpacion/