Piktori Kosta Zhonga prej pak ditësh ka hapur në Durrës një kurs pikture dhe muzike, frekuentuesit më të shumtë në numër të të cilëve janë fëmijët e vegjël. Për më shumë se 20 vite me rradhë ai i është përkushtuar kësaj moshe, qoftë gjatë 20 viteve emigracion në Greqi, qoftë edhe gjatë kësaj periudhe 2 vjeçare që ndodhet në Durrës.

Duke kuptuar rëndësinë e veçantë që ka kultivimi i anës artistike tek të vegjlit, Kosta së bashku me të shoqen, koncert maestron Klea kanë ndërmarrë këtë inisiativë, e cila është pritur mjaft mirë qoftë nga fëmijët, qoftë edhe nga prindërit e tyre. Pasi ka punuar për një kohë të gjatë si ilustrator për librat e fëmijëve, duke realizuar kopertinën dhe ilustrimet e brendshme të më shumë se 400 prej tyre, për shtëpitë botuese greke, ai është angazhuar së bashku me ilustratorë të tjerë në ndihmë të një shoqate të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Puna me këta fëmijë në shtetin fqinj duket se i ka dhënë spunton e parë Kostës që të vijojë edhe këtu në Shqipëri të merret me moshat e vogla. “Fëmijët shqiptarë janë mjaft të talentuar dhe të prirur drejt artit. Është gjë shumë e mirë, kur ata nisin i kultivojnë këto prirje që kur janë të vegjël. Kjo nuk do të thotë se ata domosdoshmërisht do të bëhen artistë në të ardhmen, por arti i ndihmon të zhvillojnë fantazinë, të duan të bukurën dhe të kultivojnë anën e tyre artistike”,- thotë Kosta.

 

Fëmijët shqiptarë janë mjaft të talentuar dhe të prirur drejt artit. Është gjë shumë e mirë, kur ata nisin i kultivojnë këto prirje që kur janë të vegjël. Kjo nuk do të thotë se ata domosdoshmërisht do të bëhen artistë në të ardhmen, por arti i ndihmon ata të zhvillojnë fantazinë, të duan të bukurën dhe të kultivojnë anën e tyre artistike

Meqë javën që kaloi ishim nën atmosferën e festës së Halloëinit fëmijët kishin për detyrë të punonin disa piktura me këtë temë. Ndërsa Dionisi, Arbiasi, Melina e të tjerë fëmijë vizatonin, në sfond dëgjohej muzikë, çka ua bënte fëmijëve edhe më të këndshme orën e mësimit. Ndërkohë që me laps hidhnin në letër konturet e shtëpisë së shtrigës, kungujve apo përbindëshit që dilte nga deti, apo ngjyrosnin me penel vizatimin e tyre fëmijët komunikonin edhe me njëri tjetrin, krahasonin punimet e tyre duke shkëmbyer dhe “opinione” për cilësinë e secilit vizatim, ndërsa prisnin gjykimin e “xhaxhi piktorit” siç preferojnë ata ta quajnë Kostën.

Nëse arrijnë ta përfundojnë vizatimin e marrin me vete për t’ua treguar dhe prindërve, në të kundërt vizatimi qëndron i varur në mur për ta vijuar herën tjetër. Krahas anës artistike Kosta shprehet se ka për qëllim t’u zhvillojë fantazinë fëmijëve dhe njëkohësisht t’u mësojë atyre rëndësinë e riciklimit të sendeve të ndryshme. Salloni i pritjes së studios së tij të punës është i mbushur me objekte të ricikluara e të zbukuruara artistikisht. Një shishe plastike është përshtatur në një mbajtëse lapsash, një pikturë është realizuar me gjethe të rëna përtokë, një kamion lodër nuk është gjë tjetër veçse dy kuti të pikturuara bukur.

“Duke edukuar që në moshë të vogël këtë kulturë, fëmija rritet me një vizion tjetër, është më i përgjegjshëm për sendet që na rrethojnë”,- thotë piktori. Ndërkohë bashkëshortja e Kostës, pianistja Klea, thekson se puna me fëmijët të jep një kënaqësi të veçantë, pasi është gjë e bukur kur konstaton se tek ata fshihen shumë prirje artistike që presin të zbulohen. Kurset e muzikës dhe pikturës zhvillohen tre herë në javë dhe zgjasin rreth një orë.

Megjithëse puna e tyre është përqendruar vetëm tek fëmijët e vegjël Kosta dhe Klea shprehen se kurset janë të hapura për këto që do të zhvillojë aftësitë e tij artistike, qoftë i vogël apo i rritur. Krahas kurseve private Kosta Zhonga e përcjell eksperiencën e tij në fushën e artit edhe përmes dy emisioneve për fëmijë të realizuara në një nga platformat dixhitale. Ndërkohë një tjetër emision i tij, këtë herë në një stacion televiziv privat, startoi fundjavën që sapo u mbyll.