Një mesazh nga Durrësi “që përcjell një koncept të qartë për mbajtjen gjallë në vetëdijen e brezave të prejardhjes shqiptare, të përçuarjes së traditave të përbashkëta dhe të rritjes së interesit për Shqipërinë e shqiptarët”. Kështu e ka cilësuar recensuesja Dr. Jolanda Lila librin “Gjurmime të mendimit etnologjik në lëmin e përrallave”, të studiueses Alma Dema.
Për vetë autoren, pedagoge e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “studimi ёshtё njё pёrpjekje pune hulumtuese, krahasuese dhe studimore, për tё kataloguar gjendjen e botimeve tё deritanishme nё lёmin e mbledhjes dhe publikimit tё pёrrallёs fantastike, bёrё kjo nga studiuesit shqiptarё, kosovarё a gjetku ku flitet shqip, nga arbёreshёt e mbi tё gjitha, nga albanologёt.
Metoda krahasuese, mbi të cilën ngrehet e gjitha puna, evidenton dhe nxjerr më së miri në pah, gjendjen e oralitetit, autoktonitetit dhe gjurmës së kulturës shqiptare, në përrallat e mbledhura drejtpërdrejtë nga goja e popullit. I është kushtuar vëmendje e veçantë mënyrës etnologjike dhe etnografike të vjeljes dhe ruajtjes së këtij materiali identifikues etno-kulturor”.
Përmes shfletimit dhe konsultimit të të paktën 500 librave, studiuesja Dema shprehet se “është rrekur të kontribuojë në ruajtjen e oralitetit origjinal dhe autokton nё publikimin e pёrrallave tё mbledhura drejtёpërdrejtё në terren, ashtu si e kёrkon shkenca e etnologjisë”.
Për Prof. As. Dr. Astrit Bishqemin, ajo e ka realizuar synimin e saj mё sё miri. “Autorja ka evidentuar kronologjikisht studiuesit kryesorё qё kanё shtuar secili nga njё gur nё ndёrtesёn e mendimit albanologjik nё fushёn e pёrrallёs shqipe, studiues tё huaj e shqiptarё, duke u pёrqendruar te pёrralla e mbledhur direkt nga goja e popullit, te vёllimet qё janё botuar me tё tilla materiale”.
Dr. Jolanda Lila, e sheh librin “Gjurmime të mendimit etnologjik në lëmin e përrallave” si përpjekjen e parë serioze studimore për paraqitjen e një historie të zhanrit të përrallës, ku përmes metodës krahasuese, hidhet dritë mbi tiparet karakterizuese të përrallave nga fillesat e njerëzimit e deri në ditët e sotme.
Ndër të tjera ajo vlerëson se “përveç paraqitjes panoramike, që përcjell një koncept të qartë dhe një bazë të rëndësishme të dhënash, me shumë rëndësi është edhe hulumtimi i përrallave arbëreshe, të cilat kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm për mbajtjen gjallë në vetëdijen e brezave të prejardhjes shqiptare”.
“Identifikimi, analizimi dhe roli i këtyre përrallave është një fushë e pastudiuar dhe ky libër shenjon një shkëndijë të rëndësishme në përndritjen e kontributit të madh që ka dhënë ky zhanër për kulturën shqiptare”, shprehet studiuesja Lila.
Kjo monografi e Dr. Alma Dema, ndonёse ka njё natyrё tё profilizuar, i drejtohet ҫdo tipologjie lexuesi, dhe veҫanёrisht, ёshtё i dobishёm pёr studentёt e degёs Gjuhё – Letёrsi, studentёt e degёs Mёsuesi pёr Arsimin Fillor, Mёsuesi pёr Arsimin Parashkollor, deri te degёt Sociologji-Psikologji.