Një mbrëmje letrare kushtuar poetit dhe shkrimtarit Robert Shkurti, e organizuar nga Biblioteka Publike Durrës dhe klubi i librit “Gjergj Vlashi” u zhvillua mbrëmjen e së martës në ambientet e Kullës Veneciane.

Në harkun kohor të 15 viteve, Shkurti ka sjellë për lexuesin 11 vepra letrare, vëllime me poezi, libra me tregime dhe romane. Megjithëse emigrant prej shumë vitesh në Itali, Shkurti i ka shumë të forta lidhjet me atdheun amë dhe qytetin e lindjes, Durrësin, që e ka shoqëruar në çdo hap të krijimtarisë së tij.

“Në krijimtarinë time, pika kryesore, epiqendra e letërsisë sime është qyteti i Durrësit. Ndërsa këtu kam frymëzimin kryesor, emigrimi më bëri ta forcoj edhe më tepër. Në krijimtarinë time ka një lidhje ndërmjet Durrësit dhe vendit ku jetoj. Adriatiku edhe pse është det dhe na ndan në dy vende, për mua ka qenë gjithnjë ura e bashkimit”,– deklaroi autori Shkurti për “DurrësLajm”.

Vlerat e poezisë dhe prozës së Robert Shkurtit u nënvizuan gjatë mbrëmjes edhe nga autorët Bashkim Hoxha e Agim Bajrami, të cilët theksuan se në çdo vepër autori përcjell shumë nga rrënjët e tij shqiptare.  

“Roberti përfaqëson njëherësh vlerat kulturore të të dy vendeve, pa rënë në humnerën e përhumbjes, që sjellin rrethanat historike për individin. Letërsia është një urë që shkruhet thotë një studiues i njohur dhe Roberti është një shkrimtar i dallueshëm në prozën dhe poezinë e tij, jo vetëm prej tematikës, por edhe veprimeve të personazheve, historisë së trazuar shqiptare, por edhe në ndjeshmërinë e një shqiptari, që i ka tretur këto realitete në përjetimet si një shqiptar i kontrasteve të një bote të ngushtë përballë botës së madhe”,– tha për të pranishmit gazetari dhe publiçisti Bashkim Hoxha.  

Ndërsa për Bajramin, poezia e Shkurtit është “një poezi spontane, por që reflekton vazhdimisht nuancat sociale. Poezia e Bertit nuk i kushton shumë vëmendje anës grafike, lëmimit të vargut etj, por lojës mes kontrastit të ngjyrave dhe lojës mes tyre”.

Në panairin kombëtar të librit që nis këtë të mërkurë në Tiranë, Robert Shkurti prezantohet me romanin e tij më të fundit “Jetë të pajetuara”, kushtuar vuajtjeve të të përndjekurve shqiptarë gjatë viteve të regjimit komunist. Një vepër për të mos harruar kalvarin e vuajtjeve të mijëra shqiptarëve në 45 vite diktaturë.

Gjatë mbrëmjes, të pranishmit patën mundësi të ndiqnin interpretime të disa prej poezive më të mira të autorit Robert Shkurti.

M.B.