Katedralja “Shën Luçia” ishte mbushur plot mbrëmjen e së enjtes, por jo nga besimtarë, por nga adhurues të librit. Arsyeja që i kishte mbledhur të gjithë ishte libri më i fundit i shkrimtarit Tom Kuka, alias Enkel Demi. Me leximin e fragmenteve të romanit nga aktori Xhelal Tafaj, shoqëruar nga flautistia Daorsa Dervishi, mbrëmja letrare mori një dimension të ri.

Me romanin e tij “Rrethimi”, Kuka kishte zgjuar jo pak vëmendjen e lexuesve e kjo u duk më së miri nga pyetjet e shumta që të pranishmit i bënë autorit.

Me një roman që ngjarjet i vendos në rrethimin e Shkodrës, fillim shekullin e kaluar, Kuka ndërthur ngjarjet historike me fiction-in. Kryepersonazhi i librit, fotografi Kolë Laca duhet të fiksojë gjëmën e qytetit të pushtuar e së bashku me kronikën e qytetit, edhe fatin e dashurisë së tij për Trinën. 

“Mua më intereson ngjarja, më intereson historia sepse mbi bazën e saj mund të krijoj personazhe, mund të krijoj linjat, dialogjet, mund të përcjell mesazhet. Nuk jam shkrimtar i botës së brendshme shpirtërore kam nevojë të rrëfej një histori”,- tha autori për “DurrësLajm”.

Një promovim libri në një katedrale nuk është një event letrar që ndodh çdo ditë, por arsyeja e përzgjedhjes së këtij vendi është e qenësishme.

“Përzgjedhja e këtij vendi nuk ishte e imja, ishte e Driada Dervishit, por unë isha shumë dakort, sepse dhe tek “Rrethimi” një nga pjesët kryesore të librit zhvillohet në një kishë në Shkodër. ndërkohë, kjo është një kishë që unë e frekuentoj, vi herë pas here këtu dhe e du fort”.

Një libër që ngërthen në vetvete ngjarje historike, por që në fund të fundit është një himn kushtuar dashurisë. Dhe siç thotë autori: Në këtë jetë duhet me dasht!

A do të jetë libri i radhës i Tom Kukës një botim mbi ngjarje të dhjetëra dekadave më parë apo mbi një tematikë të aktualitetit? Këtë na e rrëfen vetë autori.

“Një pjesë e historisë që po shkruaj i përket viteve të fundit të Shqipërisë, flet për 20 vitet e fundit”,– thotë ai.  M.B.