Poezitë më të mira të  kolosit të letërsisë sonë Ismail Kadare erdhën mbrëmjen e së martës përmes një performance poetike në taracën e Kullës Veneciane.

Emrat më të njohur të skenës dhe filmit shqiptar interpretuan disa prej perlave të penës së Kadaresë, të cilat këtë radhë erdhën të ndërthurura mjaft bukur me vijën melodike të muzikës së kompozItorëve  Hajg Zacharian dhe Endri Sina. Për aktorin durrsak Xhelal Tafaj, ky është një rikthim i bukur 30 vite pasi Torra hapi për herë të parë dyert për aktivitete kulturore.

“Më vjen jashtëzakonisht mirë që rikthehemi këtu pas 30 vitesh. Sonte është ndryshe, sepse nuk zhvillohet poshtë, por këtu në taracën e Torrës. Klima e Durrësit, bukuria e Durrësit e bën më të veçantë këtë natë”.

Për aktorët e mirënjohur Ndriçim Xhepa, Olta Daku dhe Arben Derhemi kjo mbrëmje mbarte një emocion të veçantë.

“E veçanta për mua është që sonte ky grup artistësh nga Durrësi dhe Tirana bëjnë këtë aktivitet, në këtë vend që është i veçantë, në këtë platformë të Torrës Veneciane, që është mjaft pikante”,– tha Xhepa.

“Jam shumë e lumtur që jam në këtë qytet, që e dua pafund, është një atmosferë e jashtëzakonshme”,- tha Daku.

“Kemi ardhur që të kujtojmë jo vetëm veprën e Kadaresë, por edhe këtë mbrëmje në Durrës, pasi ky qytet ka një tis që të bën të dashurohesh me të”.,- deklaroi Derhemi.

Nën zërin magjepës të Vikena Kamenicës, të shoqëruar nga balerina Vanesa  Banushi dhe tingujt e ngrohtë të flautit të Daorsa Dervishit dhe kitarës së Arbër Çerrit, poezitë e Kadaresë krijuan një atmosferë magjepëse.

Taraca e Kullës Veneciane ishte mbushur si rrallëherë plot e përplot për të shijuar live performancën poetike “Medalioni i hënës”. Mjaft të emocionuar nga mikpritja dhe kjo mbrëmje dedikuar atyre u shfaq edhe çifti Kadare.

“Unë jam shumë, shumë i gëzuar. Jam ndjerë shumë i lumtur mes jush”.– tha mes emocioneve Ismail Kadare.

Intepretimet mjaft të ndjera u shoqëruan shpeshherë me duartrokitjet e zgjatura të të pranishmëve, ndërsa regjisorja Driada Dervishi dëshmoi edhe njëherë tjetër se çdo projekt e punon me zemër dhe mjaft dashuri. Për të, Durrësi e meriton të marrë vendin që i takon në hartën e aktiviteteve kulturore.

“Jam e lumtur që Ismail Kadare rikthehet në Torrën Veneciane, pas dy vitesh që ky monument ishte i mbyllur. Është një pasuri që i ka munguar qytetit. Shpresoj shumë të kthehet në një stacion të bukur për të sjellë këtu gjëra të mira dhe shpresoj që Durrësi të marrë vendin që i takon jo vetëm në hartën gjeografike, por edhe në hartën e kulturës dhe artit”.

M.B.