Drejtoresha e bibliotekës, Flora Dervishi, i akordoi Helena Kadaresë çmimin “Mirënjohja e lexuesit” me motivacionin për kontributin e shquar të dhënë në letërsinë bashkëkohore shqiptare. E konceptuar si një mbrëmje letraro-artistike leximet letrare, referatet, pjesët muzikore, recitimet dhe bashkëbisedimi me autoren u ndërthurën së bashku duke krijuar një atmosferë të ngrohtë në odeonin “Nikolin Xhoja”
“Një mbrëmje maji me Helenën” ishte aktiviteti kulturor i organizuar nga biblioteka e qytetit në kuadër të veprimtarive “Durrësi për librin”. Shkrimtarja Helena Kadare, e nderuar me çmimin “Autorja e vitit 2011”, ishte të mërkurën para lexuesit durrsak për të promovuar librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” si dhe për të ndarë me ta shumë nga emocionet, ndjesitë apo vështirësitë që hasi gjatë shkruajtjes së këtij libri, që e mbajti nëpër duar për 15 vjet me rradhë. E konceptuar jo thjesht si një promovim libri, por si një mbrëmje letraro-artistike, ku leximet letrare, referatet, pjesët muzikore dhe recitimet u ndërthurën së bashku, ajo arriti të krijojë një atmosferë të ngrohtë në odeonin “Nikolin Xhoja”. Megjithëse libri ka muaj që është hedhur në treg duke nxitur interes të madh tek publiku, por edhe reagime të ndryshme përsa i përket të vërtetave që bashkëshortja e të madhit Kadare rrëfen për veten dhe shkrimtarin e njohur, lexuesi durrsak ishte i madh në numër në sallën e odeonit, i shtyrë qoftë nga kureshtja për të parë nga afër këtë autore, por dhe për të shkëmbyer me të pyetje-përgjigje rreth veprës. Mbrëmja letrare nisi me leximin e disa fragmenteve të librit nga aktorja Andia Xhunga dhe drejtuesja e qendrës kulturore të fëmijëve, Gladiola Busulla. Ndërkohë, në një hapësirë të veçantë në sallë ishte krijuar një ekspozitë e vogël me veprat e Helena Kadaresë, qoftë këto romane apo përkthime, të cilat gjenden në fondin e bibliotekës së Durrësit.
Ndërkohë referuesit Gjergj Vlashi dhe Met Dervishi gjatë fjalës së tyre theksuan shprehjen e famshme se “pas çdo burri të madh qëndron një grua e madhe” duke dashur të nënvizojnë se pa një Helena Kadare ndoshta nuk do të kishim një Ismail në dimensionin që e njohim sot. “Ky libër i ngjeshur me lëndë autobiografike është një nga librat më të mirë e më origjinalë, një kronikë e jetës së Isës (siç preferon ta quajë ajo) dhe Helenës”,- tha gjatë fjalës së tij shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi. Ndërkohë, pedagogu Met Dervishi gjatë kumtesës së tij e vuri theksin në rëndësinë që ka libri i Helenës për t’u kthyer përgjigje të gjithë atyre që ende vazhdojnë e debatojnë sot e kësaj dite nëse Ismail Kadareja ishte disident apo socialist. Gjatë mbrëmjes, një surprizë e veçantë për zonjën Kadare ishte dhurimi i buqetave me lule nga mbesat e Minush Jeros, dramaturgut të njohur durrsak, të cilin Helena e përmend në disa pasazhe të librit të saj. Pas ligjëratave të kryetarit të klubit të shkimtarëve dhe artistëve, Nikolla Spathari apo të autores Myzejen Konduri, të cilët treguan para publikut histori nga njohjet personale me Ismailin apo Helenën, autorja e librit “Kohë e pamjaftueshme” nisi një bashkëbisedim të ngrohtë me të pranishmit në sallë. Ndërsa shpjegoi arsyen se pse e ka titulluar kështu librin e saj më të fundit, Helena u ndal në një moment gjatë promovimit të librit të saj në Francë.
Një ish ministër i kulturës së këtij vendi i ishte afruar dhe gjatë diskutimit i kishte thënë se ajo që i kishte bërë më tepër përshtypje gjatë leximit të librit ishte fakti se kishte konstatuar që në Shqipërinë e asaj kohe kishte ekzistuar një jetë e pasur artistiko-kulturore, krejt ndryshe nga pritshmëritë e tij për këtë vend të vogël ballkanik. Zonjë Kadare e nënvizoi këtë fakt për të treguar se megjithëse nën një trysni të fortë nga regjimi i kohës, arti dhe artistët shqiptarë ditën të mbijetojnë dhe të bëjnë art edhe nën diktaturë. Helena Kadare është një nga pendat e rralla femërore në Shqipëri dhe ndoshta krijimtaria e saj letrare do kishte qenë më e madhe në numër nëse bashkëshorti i saj nuk do të kishte qenë edhe lexuesi i saj i parë. Këtë detaj e deklaroi vetë zonja Kadare, e cila gjithsesi nuk u shpreh e hidhëruar, pasi çdo gjë që thoshte Ismaili për veprat e saj nuk vihej në diskutim. Në fund të mbrëmjes, drejtoresha e bibliotekës, Flora Dervishi, i akordoi Helena Kadaresë çmimin “Mirënjohja e lexuesit” me motivacionin për kontributin e shquar të dhënë në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Gjithashtu, drejtoresha Dervishi tha se çdo vit në Durrës do t’i akordohet autores më të mirë femër, në gjininë e prozës, çmimi “Helena Kadare”. Ndërkohë, piktori Sterio Bajramaj i dhuroi shkrimtares pikturën e tij “Botë femërore”, ndërsa nxënësi i shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, Edison Ruga, i dhuroi zonjës Kadare një skicë të bërë prej tij gjatë kohëzgjatjes së mbrëmjes artistike.