Pas arrestimit të dy shtetasve nga Kameruni për 1 milion Euro false të sekuestruara në Rinas, është ndaluar dhe një 40-vjeçare nga Zvicra. Nga sektori i Krimit Ekonomik është ndaluar Jeniffer Collet, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e dy kamerunasve.
Klan News ka zbardhur dhe skemën që policia dhe prokuroria kanë ndërtuar lidhur me këta persona që tentuan të sjellin në vendin tonë para të falsifikuara. Rol kryesor mësohet se ka pasur 45-vjeçari Zinedin Nkeh.
Fillimisht ai i kishte thënë mikut të tij të arrestuar në datë 17, Josoue Ngankam që të merrte valixhen me para dhe do takoheshin në Shqipëri. Kamerunasi Zinedin Nkeh kishte 10 ditë që kishte ardhur në vendin tonë.
Më datë 13 shkurt ai është nisur me linjën Paris-Stamboll, Stamboll-Podgoricë dhe nga Podgorica kishte hyrë në territorin shqiptar në rrugë tokësore me taksi.
40-vjeçarja zvicerane e arrestuar mbrëmjen e të enjtes ka rreth 2 vite që jeton në Shqipëri pa pasur leje qëndrimi apo leje pune. Ajo prezantohej në vendin tonë si agjente imobilare dhe se bashkëpunonte me një shoqatë të huaj.
Në sajë të hetimeve që po kryhen nga policia dhe prokurori Bledar Valikaj, janë ngritur dyshimet se shuma e parave do përdorej për blerjen e një prone, duke mashtruar një biznesmen.
Gjatë arrestimit të personit kyç në këtë skemë, Zinedin Nkeh, iu gjetën edhe disa solicione të cilat ai i përdorte për të hequr bojën e zezë tek paratë, në mënyrë që të mos kuptoheshin që ishin të falsifikuara.





