Ditën e hënë mbushet plot një muaj nga dy lëkundjet e frikshme të 21 shtatorit, të cilat nxorrën në rrugë me mijëra persona nga Durrësi, Shijaku, Tirana. Pasojat e tërmeteve ishin mjaft të prekshme në zonat afër epiqendrës.

Rreth 1700 banesa të dëmtuara në bashkinë e Durrësit, 652 të dëmtuara në Shijak dhe shumë prej tyre të shpallura të pabanueshme, mes të cilëve edhe një pallat shumëkatësh në zonën e plazhit.

Rreth 4 milionë euro dëme në Durrës, rreth 2.6 miliardë lekë dëme në Shijak. Bashkia e Durrësit ka në dispozicion deri më tani 300 milionë lekë të vjetra për riparimin e dëmeve, bashkia e Shijakut vetëm 20 milionë lekë fond emergjence. Shumë pak për të rindërtuar shtëpitë e shpallura të pabanueshme, të cilat në bashkinë e Shijakut janë plot 62 të tilla.

Autoritetet vendore janë në pritje të udhëzimeve që do të dalin me VKM lidhur me procesin e dëmshpërblimit të banorëve të dëmtuar. Procesi i riparimit të dëmeve deri tani është në vendnumëro, pasi Këshilli i Ministrave nuk është shprehur ende me vendim.

Bashkia e Durrësit dhe Shijakut kanë përfunduar procesin e plotësimit të dosjeve për çdo familje të prekur, brenda së cilës përfshihet: 1) Kërkesa e qytetarit; 2) Certifikatë familjare; 3) Akt konstatimi; 4) Fotografi; 5) Dokumentet e pronësisë; 6) Vërtetim banimi dhe 7) Akt-vlerësimi nga grupi i punës.

Nënkryetari i bashkisë Durrës, Florian Tahiri, i cili ka ndjekur nga afër të gjithë këtë proces thotë për DurrësLajm se aktualisht pushteti vendor është përqendruar tek shpërndarja e ndihmave të mbledhura nga shoqata bamirëse vendase dhe të huaja apo biznesmenë, siç ishin ato të një jave më parë ku përfituan 100 familje nga 5 njësitë administrative të bashkisë.

Sipas Tahirit, procesi i vlerësimit përfundimtar të dëmit të shkaktuar në çdo banesë, projektet për shtëpitë e pabanueshme dhe dhënia e dëmshpërblimit për secilin të dëmtuar është delikat dhe i vështirë, prandaj pushteti vendor është në pritje të udhëzimeve përkatëse që do të dalin me VKM dhe njëkohësisht edhe për shumën që do t’u akordohet nga buxheti i shtetit. 300 milionë lekë që ka aktualisht bashkia e Durrësit janë shumë pak.

Problemi komplikohet për banorët që nuk kanë pasur dokumente pronësie, por banesa mund të ketë qenë në proces legalizimi. Tahiri thekson se nëse banorët e shtëpive të shpallura të pabanueshme duan t’i rindërtojnë vetë ato, ata duhet të drejtohen për leje në bashki. Në bazë të dispozitës tranzitore të miratuar në muajin shtator nga qeveria Rama për familjet e dëmtuara nga tërmeti I 21 shtatorit 2019, banorët përjashtohen nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Në bashkinë e Shijakut, siç bën të ditur kryebashkiaku Elton Arbana ka pasur disa banorë që janë interesuar pranë institucionit të pushtetit vendor lidhur me lejen e ndërtimit, por pa u zgjidhur ngërçi ligjor nuk mund të nisë rindërtimi i tyre. Po sipas Arbanës, shtëpitë e shpallura të pabanueshme në Shijak nuk kanë probleme pronësie, pasi ato janë 50-60-vjeçare.
Aktualisht, në Kovalishencë, sipas të dhënave të Prefekturës Durrës ndodhen rreth 140 persona, nga të cilët 24 familje nga Durrësi. Ndërkohë, në njësitë administrative të bashkisë së Shijakut vazhdojnë të jenë të ngritura 12 çadra, ku strehohen familjet e mbetura pa shtëpi.

Fatmirësisht kushtet atmosferike i kanë favorizuar, pasi temperaturat janë të larta dhe reshjet e shiut thuajse kanë munguar.
Prefekti i Durrësit Roland Nasto bën të ditur se të hënën do të nisë në Krujë stërvitja rajonale për Emergjencën Civile, e koduar me emrin “Joint Reaction 19”, që do të mbahet nga 21 deri më 24 tetor. Kjo stërvitje ka për qëllim trajnimin e efektivëve të Emergjencave Civile për dhënien e ndihmës në raste emergjence nga tërmetet apo fatkeqësi të tjera natyrore.

Deri tani autoritetet vendore duket se i kanë bërë detyrat e shtëpisë, hapi i rradhës i takon pushtetit qendror.

M.B.