Fitorja ka rezultuar një fjalë e huaj për Teutën. Psikologjikisht kjo situatë ka rënduar “djemtë e detit”, pasi në kohëzgjatje është një muaj pa sukses, me fitoren e fundit që është arritur më 30 mars në stadiumin “Niko Dovana” ndaj Kastriotit.Duke mos llogaritur këtu fitoren në tavolinë ndaj Kamzës, durrsakët kanë plot një muaj që nuk marrin tri pikë në fushë dhe për këtë arsye, 90-minutëshi i të shtunës ndaj Luftëtarit, shihet si një mundësi e mirë për të rigjetur entuziazmin.

Fitorja është detyrim për vetë objektivat që ka Teuta, në një kohë që përballë është një skuadër që lufton për mbijetesë. Gjatë këtij sezoni Teuta ka marrë 60% të pikëve në shtëpi, ndërsa me Luftëtarin ka fituar 1-0 në fazën e dytë, por ka stonuar dy herë në Gjirokastër, duke pësuar dy humbje.

Barazimi i fundit ndaj Kukësit i ka shërbyer stafit teknik për të rikuperuar lojtarët, më shumë në aspektin psikologjik pas rezultateve që e larguan nga ëndrra për të sulmuar titullin kampion. Kjo javë shihet si mundësia më e mirë për të bërë diferencën në zonën europiane, nisur edhe nga kalendari i rivalëve. Flamurtari do të përballet me Partizanin, ndërkohë që Skënderbeu dhe Laçi si ndjekësit më të afërt kanë ndeshje me koeficient të lartë vështirësie, ndaj Tiranës dhe Kastriotit.

Për këtë arsye në sfidën ndaj Luftëtarit durrsakët e kanë të qartë se është i ndaluar hapi fals, paçka se përballë kanë një skuadër që ka bërë mirë. Rezultatet jo të mira në ndeshjet e fundit bënë që Teuta të jetë nën presionin e ekipeve si Laçi dhe Skënderbeu, me të cilët luan për zonën “Euro”, teksa tashmë është vetëm dy pikë larg. Gjithsesi, besimi në grup është maksimal se do të shkojnë në Europë, duke kapur vendin e tretë, që aktualisht mbahet nga Flamurtari me një pikë më tepër.Skuadra durrsake po punon prej ditësh e përkushtuar në kompleksin “Olympic Park” dhe duket gati për këtë duel. Gjatë seancës së djeshme, ekipi zbriti pasdite në fushë dhe është punuar më së shumti në planin tekniko-taktik. Trajneri Shkëmbi u shfaq si gjithnjë tejet kërkues, ndërsa po mundohet që të sjellë perfeksionin në lojën e durrsakëve.

Grupi as këtë javë nuk do të jetë i plotë. Mbrojtësi Ditmar Bicaj do të mungojë për shkak të kartonit të kuq ndaj Kukësit. E megjithatë, ka edhe lajme të mira në kampin durrsak. Pas dëmtimit rikthehet në dispozicion të Shkëmbit edhe mbrojtësi Erlis Frashëri, që do të jetë një “armë” më shumë për formacionin e Teutës.