Nga Aleksandër Cangonja
Në mesin e viteve ’30, shteti shqiptar ndodhej në një fazë të rëndësishme të konsolidimit institucional, ku krahas ndërtimit të strukturave administrative dhe ushtarake, po merrte formë edhe ideja e organizimit të jetës kulturore mbi baza moderne. Brenda këtij konteksti duhet parë edhe nisma për krijimin e një muzeu arkeologjik në Vlorë, një projekt që synonte jo vetëm ruajtjen e objekteve arkeologjike, por edhe ndërtimin e një narrative kombëtare përmes trashëgimisë materiale. Dokumentet e Arkivit të Shtetit (fondi 152, viti 1935, dosja 938) japin një pasqyrë të detajuar të këtij procesi, duke nxjerrë në pah jo vetëm kronologjinë e vendimmarrjes, por edhe tensionet strukturore që shoqëronin administratën shqiptare të kohës.
Muzeu si projekt i modernitetit shtetëror
Nisma për ngritjen e muzeut nuk ishte një veprim i izoluar, por pjesë e një tendence më të gjerë europiane, ku arkeologjia dhe muzeologjia shërbenin si instrumente të ndërtimit të identitetit kombëtar. Roli i misionit arkeologjik francez në këtë proces është thelbësor. Në shkresën e 8 gushtit 1935, theksohet qartë:
“Mbas mendimit të Misionit franç arkeologjik do t’ishte e pëlqyeshme të krijohet nji muzeum komtar në Vlonë.”
Ky formulim tregon se iniciativa nuk vinte vetëm nga brenda, por edhe nga ndikimi i ekspertizës ndërkombëtare, çka ishte karakteristike për Shqipërinë e periudhës së monarkisë.
Zgjedhja e ish-banesës së Ismail Qemali si vend për muze përforcon dimensionin simbolik të projektit. Kjo ndërtesë nuk ishte thjesht një hapësirë fizike, por një vend kujtese, i lidhur me themelimin e shtetit shqiptar. Kështu, projekti synonte të ndërthurte arkeologjinë (si dëshmi e lashtësisë) me historinë moderne (si themel i shtetit).
Vendimmarrja dhe mekanizmat e administratës
Vendimi i Ministria e Brendshme për ta destinuar ndërtesën për muze tregon për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të shtetit në organizimin e hapësirës urbane dhe funksioneve të saj. Në dokumentet përkatëse theksohet:
“Kemi vendosë me i destinuem për muzeum… ku do të vendosen të gjitha sendet me vlerë arkeologjike…”
Kjo dëshmon për një qasje centralizuese, ku vendimet merren në nivel qendror dhe më pas zbatohen nga institucionet lokale, si Bashkia dhe Prefektura.
Megjithatë, pikërisht këtu fillon të shfaqet një nga problemet kryesore të administratës së kohës: mungesa e koordinimit efektiv ndërinstitucional. Ndërkohë që një ministri vendos për destinacionin e ndërtesës, institucione të tjera vazhdojnë ta përdorin atë për funksione të ndryshme.
Konflikti i prioriteteve: kulturë kundrejt sigurisë
Thelbi i problemit që del nga dokumentet është përplasja midis dy prioriteteve shtetërore:
- zhvillimit kulturor (krijimi i muzeut)
- nevojave të sigurisë dhe administratës (akomodimi i rojes kufitare)
Në një nga shkresat theksohet:
“Tue qenë se në ndërtesat e sipërthanuna banojnë roja Mbretnore e kufinit…”
Kjo situatë tregon se infrastruktura shtetërore ishte e kufizuar dhe e pamjaftueshme për të përballuar njëkohësisht funksione të ndryshme. Në mungesë të godinave alternative, shteti detyrohej të improvizonte, duke i mbivendosur funksionet mbi të njëjtat hapësira.
Nga ana tjetër, insistimi i vazhdueshëm për lirimin e ndërtesës për muze tregon se projekti kishte një mbështetje reale, por jo aq të fortë sa të mbizotëronte mbi nevojat ushtarake.
Burokracia si mekanizëm vonese
Një nga aspektet më domethënëse që del nga analiza e dokumenteve është roli i burokracisë në zvarritjen e procesit. Dosja përmban një numër të madh shkresash, telegramesh dhe përgjigjesh, të cilat shpesh përsërisin të njëjtat kërkese :“Lutemi keni mirsin me na njoftuem sa ma parë mbi urdhënin qi do t’epet.”
Ky formulim i përsëritur tregon një administratë që funksionon më shumë nëpërmjet komunikimit formal sesa përmes veprimit konkret. Vendimet shtyhen, përgjegjësitë shpërndahen, dhe procesi mbetet i bllokuar në një cikël korrespondencash.Në këtë kuptim, burokracia nuk është thjesht një instrument administrativ, por një faktor aktiv që ndikon në dështimin e projektit.Në një moment, theksohet:“…janë ba marrëveshtje… për mundësinë e shpronësimit të nji godine…”
Ky fakt është veçanërisht domethënës, sepse tregon se shteti ishte i gatshëm të ndërmerrte edhe masa më të thella juridike dhe financiare për të zgjidhur çështjen. Megjithatë, edhe këto masa mbeten në nivel planifikimi.Kjo nxjerr në pah një tjetër problem strukturor: mungesën e kapaciteteve për të realizuar vendime të tilla në praktikë, qoftë për arsye financiare, qoftë për shkak të procedurave të ndërlikuara.
Dimensioni lokal: roli i Prefekturës dhe Bashkisë
Prefektura e Vlorës dhe Bashkia shfaqen në dokumente si aktorë zbatues, por me hapësirë të kufizuar veprimi. Në një raport të Prefekturës thuhet:“…Bashkija ende nuk ka fillue nga meremetimet e nevojshme.”Kjo nuk lidhet me mungesë vullneti lokal, por me faktin se ndërtesa nuk ishte realisht e lirë për përdorim. Kështu, niveli lokal mbetet i varur nga vendimmarrja dhe zgjidhjet që duhet të vijnë nga qendra.
Përfundim
Rasti i projektit për kthimin e shtëpisë së Ismail Qemali në muze arkeologjik është një shembull i qartë i sfidave që shoqëruan ndërtimin e institucioneve kulturore në Shqipërinë e viteve ’30.
Dokumentet e fondit 152, dosja 938, nuk na tregojnë vetëm për një muze që nuk u bë, por për një shtet që përpiqej të ndërtonte identitetin e tij kulturor mes kufizimeve reale të kohës. Në këtë histori, muzeu mbetet një projekt i pezulluar, por njëkohësisht një dëshmi e rëndësishme e aspiratave dhe kontradiktave të një periudhe kyçe të historisë shqiptare.





