Nata e Kadrit konsiderohet si nata më e shenjtë e vitit për myslimanët dhe sipas fesë islame, agjërimi në këtë ditë konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Për këtë arsye numri i personave që agjërojnë sot është shumë më i madh se ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit.
Po përse nata e Kadrit është e vlefshme sa jeta e një njeriu, pra një mijë muaj?
Nata e Kadrit shënon zbritjen e Kuranit në tokë dhe fillimin e shkrimit të librit të shenjtë. Sipas klerikëve, agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti. Mendohet të jenë me mijëra, jo vetëm besimtarë myslimanë, ata që agjërojnë natën e Kadrit.
Me lejen e Zotit të tyre në natën e Kadrit thuhet se zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit. Myslimanët besojnë që Kurani u zbrit në natën e Kadrit tek Muhammedi prej Allahut. Zbritja filloi në shpellën Hira në Mekë. Sureja që u zbrit e para ishte sureja Alak.
Çfarë duhet të bëjë myslimani Natën e Kadrit?
Të bëjë sa më shumë dua (lutje).
Të bëjë teube e istigfar (të pendohet, për mëkatët dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot).
Të shtojë tespihët (të permendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.
Të bëjë salavat për Pejgamberin a.s.
Të japë sadaka sa të ketë mundësi.
Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj).
Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).